English

Presidenti Topi pret Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica

Tiranë, 4 tetor, NOA - Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi njëherësh Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë priti sot Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica ku diskutuan për reformat e ndërmarra në sistemin gjyqësor, reforma që synojnë forcimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe organeve të tij të drejtësisë.

Kreu i Shtetit shqiptar në këtë takim nënvizoi “rëndësinë e integritetit dhe profesionalizmit të juristëve, të cilët, duke kryer detyrën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi kontribuojnë dukshëm në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e imazhit dhe besueshmërisë së sistemit gjyqësor në interes të qytetarëve shqiptarë”.

Presidenti vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve mike dhe fqinje si dhe nivelin e lartë të dialogut politik, duke evidentuar se “vendet dhe popujt tanë janë orientuar tërësisht drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane”.

Duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve respektive gjyqësore, Presidenti Topi shprehu mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për shkëmbimin e përvojave të ndërsjella nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi të frytshëm.

Kreu i shtetit, vuri në dukje faktin që dy Gjykatat e Larta të vendeve respektive drejtohen nga dy zonja juriste, me përvojë të gjatë e të suksesshme dhe profesioniste të denja në fushën e tyre.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica dhe delegacioni i saj shoqëroheshin në këtë takim edhe nga Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Zonja Vesna Medenica, garantoi përkushtimin maksimal në drejtim të forcimit të sistemit të drejtësisë dhe të institucioneve të tij.

Në këtë kuadër, ajo theksoi se mbeten shumë të rëndësishme vijimi i vizitave të ndërsjellta mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë dhe shkëmbimi e ndarja e vazhdueshme e përvojave pozitive, sepse institucionet e drejtësisë së dy vendeve ndajnë shumë sfida dhe objektiva të përbashkëta, mbi bazën e të cilave bashkëpunimi do të vazhdojë të rritet e të forcohet edhe më tej.

i.t/NOA

KOMENTE