English

Rama: Në 5 vjet sistemi fiskal ndryshoi 60 herë

Tiranë, 4 tetor, NOA – Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama dhe kreu i bashkiakëve të vendit ka deklaruar sot se qeveria ka ulur të ardhurat e buxhetit për pushtetin vendor.

Gjatë takimit me shoqatat autonome vendore, kryebashkiaku Rama duke iu referuar deklaratave të shefit të ekzekutivit, se të ardhurat për pushtetin vendor nuk do të ulen, i cilësoi ato thjesht si propagandë.

Pas kësaj propagande të kryeministrit Berisha fshihet goditja e pushtetit vendor, tha Rama.

Ai e vlerësoi uljen e këtyre të ardhurave për qeverisjen vendore në vend si goditje ndaj ekonomisë.

Kryetari i bashkisë së Tiranës gjatë këtij takimi foli edhe për biznesin e vogël, i cili sikundër edhe qeveritë vendore po jetojnë vështirësi të mëdha ekonomike.

Zoti Rama nënvizoi se është e pafalshme që qeveria refuzon të pranojë krizën ekonomike, e cila është ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.

Ai tha ndërkohë se në këto 5 vjet sistemi fiskal ka ndryshuar 60 herë.

Duke e cilësuar rishtas vendimin për vendosjen e kasave fiskale si një vendim që i sjell përfitime kolosale një grupi shumë të vogël njerëzish pranë kryeministrit, kreu i Bashkisë së kryeqytetit tha se duhet të mbrojmë biznesin e vogël.

Sipas tij protesta për vendosjen e kasave është një protestë për mbrojtjen e vizionit të zhvillimit, një protestë për të theksuar fort dramën që po jeton sipërmarrja e lirë në vend.

i.t/NOA

KOMENTE