English

Rama, vendorëve: Përgatituni për protesta, sipërmarrja në dramë ekonomike

Tiranë, 4 tetor, NOA, Update - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama shfrytëzoi sot mbledhjen e shoqatave për autonominë vendore për t’i bërë thirrje drejtuesve të komunave dhe bashkive të drejtuara nga socialistët, që të nisin përgatitjen për mbështetjen e protestave për rrëzimin e qeverisë, protesta që do të nisin shumë shpejt në vend.

“Është koha që komunat dhe bashkitë të mbrojnë të drejtat e qytetarëve. Duhet të angazhohemi në lëvizje me protesta në të gjithë vendin për këtë dramë, që po kalon e gjithë sipërmarrja”, deklaroi kryebashkiaku dhe njeherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Gjatë mbledhjes me shoqatat e autonomisë vendore kryebashkiaku Rama theksoi se kriza ekonomike ka ndikuar drejtpërsëdrejti tek biznesi i vogël dhe në uljen e të ardhurave për pushtetin vendor, duke i vënë këto në vështirësi të mëdha ekonomike.

“Dua të vë theksin se në këto 5 vjet, sistemi ynë fiskal ka ndryshuar 60 herë në tërësi, dhe kategoria më e goditur gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë biznesi i vogël. Vihen re boshllëqe të mëdha në marrëdhëniet mes sipërmarrjes dhe shtetit. Dhe goditja ndaj biznesit të vogël ka ndikuar drejtpërdrejt në pushtetin vendor, konkretisht në zbrazjen e arkës”, nënvizoi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Në këtë kontekst zoti Rama akuzoi qeverinë Berisha për refuzimin që ajo i bën pranimit të krizës ekonomike që po kalon vendi, një krizë e ulur këmbëkryq tek çdo familje shqiptare.

Rama bëri me dije se “goditja ndaj biznesit të vogël është goditje për ekonominë shqiptare, dhe qeveria fsheh krizën pas propagandës së mrekullive në një kohë kur gjendja ekonomike e vendit dhe familjeve shqiptare po rëndohet gjithnjë e më shumë”.

Por, kryebashkiaku Edi Rama foli në këtë takim edhe për vendosjen e kasave fiskale, duke e cilësuar këtë proces si një proces me fitime kolosale për oborrin qeveritar, pikërisht nga shitja shtrenjtë e kasave, një shitje që po bëhet në kurriz të biznesit të vogël.

Rama bëri thirrje se është domosdoshme është që të mbrohet misioni për zhvillimin e vendit, një mision për të qenë sa më pranë qytetarëve, dhe sipërmarrjes së tyre të vogël.

i.t/NOA

KOMENTE