English

Sacra Corona Unita, sekuestro kompleksit “Muza” dhe dy lokaleve për Prudentinon

Tiranë, 4 tetor 2010 NOA – Prokuroria kryen sekuestrimin e lokalit të njohur “Muza” ish-Artur dhe dy lokaleve në Vlorë, lidhur me aferat e dyshuara të të akuzuarit si pjesëtar i mafies, Albino Prudentino.

Burimet jozyrtare bënë të ditur se lokalet janë sekuestruar sot por nuk konfirmohet nëse kemi të bëjmë apo jo, me sekuestro konservative.

Zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme, deklaroi sot se paralelisht me hetimin nga Prokuroria Gjyqësore e rrethit Vlorë, bëhet e ditur se Prokuroria e Krimeve të Rënda po kryen aktivitetin e saj procedural në zbatim të ligjit Antimafia, për hetimin pasuror të pasurive të Albino Prudentinos.

Shefi i shtypit të PP, z.Plator Nesturi, i tha agjencisë NOA se “hetimi ka nisur fillimisht për shtetasin italian Albino Prudentino, për të cilin ka edhe një mandat arresti nga Prokuroria Distretuale Antimafia e Leçes.

Nestori theksoi se hetimi për pasuritë e Albino Prudentinos, është shtrirë edhe për pasuritë e personave të tjerë të cilët rezultojnë të kenë lidhje me të.

Në kuadër të luftës kundër krimit dhe në përgjigje të sensibilizimit të opinionit publik lidhur me çështjet që kanë qenë edhe në fokus të medias, duke nisur nga 1 tetor 2010, është regjistruar nga Prokuroria Gjyqësore e Rrethit Vlorë çështja penale për pastrim parash në ngarkim të shtetasit italian Albino Prudentino, i akuzuar si pjesëtar i grupit mafioz Sacra Corona Unita.

e.r/NOA

KOMENTE