Tiranë, 4 tetor, NOA - Me mbështetjen dhe në koordinim me Federatën Panshqiptare Vatra dhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) një delegacion i PDI, i kryesuar nga kryetari Tahir Muhedini kreu një vizitë në SHBA në periudhën 20-27 shtator. Qëllimi i kësaj vizite ishte lançimi i Iniciativës “Miqtë e Çamërisë”.
“Kjo iniciative do ketë qëllim kryesor organizimin dhe koordinimin e një veprimtarie të gjerë për ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar dhe atij amerikan në veçanti për çështjen e Çamërisë, lobimin në rrethet e politikës dhe vendimmarrjes në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare dhe veçanërisht ; sigurimin e mbështetjes së nevojshme për sponsorizimin dhe miratimin e rezolutës së kongresit amerikan për çështjen çame.
Ne synojmë që iniciativa “Miqtë e Çamërisë” të bashkojë të gjitha kontributet e çdo shqiptari dhe të të gjithë miqve të Shqipërisë për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes çame”, tha Muhedini.
Duke shtuar se kjo vizitë është në vijim të vizitave që përfaqësuesit e PDI-së kryen në datën 9 dhjetor 2009, ditën e gjenocidit botëror dhe dita e mohimit të lirive e të drejtave të njeriut, ku u dorëzua dosja për çështjen çame në Departamentin e Shtetit Amerikan, dhe nga data 19-30 korrik të këtij viti lobuam në Departamentin e Shtetit, në Kongresin amerikan dhe senatin amerikan. Kjo vizitë do të pasohet nga të tjera vizita dhe kontakte intensive e të të rëndësishme për të plotësuar obligimin e madh që kemi si forcë politike dhe si patriotë për zgjidhjen e çështjes çame.
Z.Muhedini, tanimë kemi dy parti të cilat mbrojnë çështjen çame. Në kuadrin edhe të zgjedhjeve të ardhshme lokale, mendoni se do të ishte më mirë që të konkurronit në grup dhe do të ishte mirë për elektoratin që të mos kishte probleme e përçarje...?
Siç e dini Partia për Drejtësi dhe Integrim, qëllimi i krijimit të PDI ka qenë që i gjithë populli shqiptar çam të jetë bashkë, pa dasi dhe mendësi politike. Lus shqiptarët çamë dhe gjithë kombit shqiptar për zgjidhjen e çështjes çame të jemi bashkë. Ne kemi qenë të gjithë bashkë, por kemi 7-8 muaj që jemi të ndarë, është krijuar kjo forcë e re. Unë mendoj që ne po harxhojmë energji të dy forcat, ndoshta edhe pa dashje po i bëjmë një dëm komunitetit çam drejt çështjes madhore të çështjes çame, po i ulim autoritetin. Unë mendoj që patjetër duhet të kemi një forcë politike, siç e kam thënë edhe herë tjetër, ne duhet të kemi një forcë politike dhe një shoqatë, dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë institucionale.
Ju kërkoni miratimin e një rezolute për çështjen çame në Kongresin amerikan, ndërkohë në parlamentin shqiptare ende nuk ka një të tillë. Pse nuk ka një përpjekje për të miratuar një rezolutë për çështjen çame në parlamentin shqiptar?
Partia për Drejtësi dhe Integrim ka tre vjet që punon me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Kongresin amerikan dhe me senatorë amerikan, me shoqatën “Vatra” dhe “NAAC”, dhe me shoqata të tjera për të bërë të mundur që të bëjmë një rezolutë në Kongresin amerikan. Vizita jonë kësaj here dhe që do të pasojë pas dy muajsh, do të ketë për qëllim që të ndërgjegjësojmë kongresmenët dhe popullin shqiptar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara e Amerikës, të gjithë të lobojmë për të prezantuar problemin që ka çështja çame tek kongresmenët, se janë dhe zgjedhjet e kongresmenëve në këtë kohë.
Për sa i përket rezolutës në parlamentin shqiptar, më mirë do të ishte të flisnin dy deputetët çam në Kuvendin e Shqipërisë dhe e mirë do të ishte që këto dy deputetë të merren me futjen e rezolutës në parlamentin shqiptar se sa të merren me gjëra vogëlsira që nuk vlejnë për çështjen çame.
NOA