Vlorë, 5 tetor, NOA – 24 orë nga ekzekutimi me kallashnikov i 27 vjeçarit nga Vlora Klodian Resulaj, policia e Vlorës ka prangosur si të dyshuarin dhe autorin potencial të vrasjes një 34 vjeçar.
Burime nga policia e Vlorës thanë për agjencinë NOA se bëhet fjalë për 34 vjeçarin Mikaelo Adriatik Elmazi, i cili u ndalua nga efektivët e policisë së qytetit të Vlorës, në fshatrat e lumit Vjosë.
Arrestimi i 34 vjeçarit erdhi për shkak të informacioneve që policia kishte siguruar në bazë të investigimit në terren, lidhur me ngjarjen ku gjeti vdekjen pasi u zu në pritë në fshatin Risili, me një breshëri plumbash automatiku 27 vjeçari Klodian Resulaj.
Sipas policisë së Vlores, ndalimi i këtij shtetasi është kryer në bazë të informacioneve, që dispononte policia për vrasjen e 27 vjeçarit.
I arrestuari Mikaelo Adriatik Elmazi mësohet të jetë banues në lagjen “Partizani” aty ku jetonte edhe viktima.
Sipas burimeve nga policia, Elmazi është i dyshuari i parë për këtë ngjarje, dhe ai e ka pranuar krimin mbrëmjen e të hënës në seancën e pyetjeve në policinë e Vlorës.
mit/NOA