English

Avokati i Prudentinos: Albino Prudentino nuk ka lidhje me mafian

Tiranë, 5 tetor, NOA – Vito Feliçi, avokati i Albino Prudentinos, 59 vjeçarit që u arrestua pak ditë më parë në Vlorë si anëtar i organizatës kriminale pulieze, “Sacra Corona Unita” deklaroi sot në Tiranë, në një konferencë për shtyp se “Albino Prudentino nuk ka lidhje me mafian”.

Avokati Feliçi duke mbrojtur klientin e tij, Prudentino, i quajti shpifje akuzat e mediave shqiptare.

“Ndaj Albino Prudentinos në Itali nuk është marrë asnjë vendim apo dënim për pjesëmarrje në organizatë mafioze. I vetmi dënim është ai për kontrabandë të cigareve. Prej 4 vitesh, klienti im është qytetar i lirë, i cili ka përfunduar dënimin. Lidhur me shoqërinë mafioze, gjykata e Barit ka shpallur vendim, që ai është jashtë shoqërisë mafioze”, sqaroi avokati i Prudentinos.

Avokati i Albino Prudentinos, ka hedhur poshtë akuzat ndaj të birit, Anxhelo Prudentino, i shënjestruar nga mediat ditët e fundit, duke thënë se “Angelo po vuan pasojat e të atit. Çështjet penale janë personale dhe jo familjare”.

Sipas avokatit Feliçi, Angelo Prudentino nuk rezulton i hetuar dhe as në hetim për fakte që përfshijnë të atin e tij, Albino Prudentinon, madje në bazë të fakteve ai nuk rezulton i dënuar.

Avokati italian, Vito Felici tha gjithashtu se ka marrë konfirmimin e drejtësisë shqiptare, që Albino Prudentino do të ekstradohet në Itali, për tu pyetur nga autoritetet e drejtësisë italiane.

Me arrestimin e Albino Prudentinos, i cili kishte hapur disa biznese në Vlorë dhe në afërsi të Tiranës, dolën në dritë edhe afera bashkëpunimi të tij apo të të birit të tij Anxhelo Prudentino me familjarë të ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, të cilës opozita i kërkoi të japë dorëheqjen.

Prokuroria tashmë ka nisur hetimin për pronat e Prudentinos në Shqipëri, ku vetëm dje është sekuestruar një kompleks pranë Tiranës, i quajtur “Muza”.

i.t/NOA

Foto: Avokati i Albino Prudentinos, Vito Felici, duke folur gjate nje konference shtypi, ku i ka cilesuar akuzat qe klienti i tij ka lidhje me mafian italiane si shpifje qe kerkojne te perdhosin emrin e tij. NOA/LSA

KOMENTE