English

Berisha me kreun e Kushtetueses, Dedja: Paanshmëri dhe depolitizim të organeve të drejtësisë

Tiranë, 5 tetor, NOA - Kryeministri Sali Berisha priti sot në një takim kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarin Bashkim Dedja.

Kryeministri duke i uruar detyrën e rëndësishme kreut të GJK-së, shprehu bindjen se “Gjykata Kushtetuese do të luajë rolin e saj qendror në një sistem demokratik”.

Sipas kryeministrit, është mjaft me rëndësi konsolidimi i pavarësisë, depolitizimit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë, si garant i të drejtave themelore.

Shefi i qeverisë e garantoi zotin Dedja për mbështetjen e plotë të qeverisë për Gjykatën Kushtetuese në respekt të kuadrit kushtetues dhe institucional.

Vetë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja theksoi se “Gjykata Kushtetuese do të luajë me paanshmëri rolin e saj si garant i Kushtetutës, i lirive dhe të drejtave të individëve dhe sistemit demokratik.

Bashkim Dedja, u emërua si kryetar i Gjykatës Kushtetuese dy javë më parë.

Ai ishte përzgjedhur njëherë në fillim të shtatorit si anëtar i ri i kësaj gjykate, i miratuar edhe nga kuvendi e më pas vetë kreu i shtetit e dekretoi atë si kryetar të GjK-së, dekret ky i miratuar pa hezitim nga mazhoranca.

Bashkim Dedja zëvendësoi në postin e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kriston, afati i skaduar i të cilit në këtë post, sipas mazhorancës solli edhe ashpërsimin e marrëdhënieve me presidentin, i cili i dha përgjigje kërkesave të mazhorancës, vetëm dy javë më parë.

mit/NOA
KOMENTE