English

Berisha: Pitkini, një aktor mit për shqiptarët

Tiranë, 5 tetor, NOA – “Me hidhërim mësova lajmin për ndarjen nga jeta të një prej aktorëve më të mëdhenj të komedisë botërore, por dhe një nga aktorët më të dashur të publikut shqiptar dhe miqve më të shquar të kombit tonë, Norman Uisdom”.

Kështu e ka nisur mesazhin e tij të ngushëllimit, kryeministri Sali Berisha, për ndarjen nga jeta të aktorit Norman Uisdom, i cili njihet nga të gjithë me personazhin e njohur, Pitkinin.

“Norman Uisdom, me aftësinë dhe talentin e tij të rrallë u shndërrua në një mit të kohës së tij, i dashur dhe i respektuar nga qytetarët artdashës të mbarë botës”, shkruan Berisha.

Duke shtuar se ai e vizitoi Shqipërinë dy herë pas rënies së perdes së hekurt dhe u prit nga publiku shqiptar si një idhull i tyre, kjo edhe për faktin se kino-komeditë e tij ishin të vetmet që i shpëtuan censurës së diktaturës së egër dhe u ndoqën me interesin më të madh nga mbarë shqiptarët.

“Por dhe shqiptarët, zinin një vend të veçantë në zemrën e këtij aktori të madh, i cili Shqipërisë do t’i kushtonte dhe një këngë “Big in Albania”. Ndaj edhe sot, shqiptarët ndajnë zinë me familjen, miqtë dhe fansat e aktorit të tyre të dashur në mbarë botën.

Në emër të qeverisë shqiptare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqëve, qeverisë së Madhërisë së Saj, për ndarjen nga jeta të legjendës së filmit komik Norman Uisdom dhe lutem që shpirti i tij të gjejë paqen e amshuar”, përfundon mesazhi i kryeministrit Berisha për humbjen e aktorit Norman Uisdom.

n.e/NOA

KOMENTE