Ekonomia shqiptare duhet të ristrukturohet për të gjetur vendin e saj në ekonominë mbarë botërore, e cila përfshin edhe ridimensionimin e saj në rajon, me qëllim që politikat e zhvillimit ekonomik të vendeve të Ballkanit të jenë kolineare. Të gjitha këto çështje të shtyjnë në një pyetje: Çfarë e pengon ekonominë shqiptare të krijojë institucionet që duhet të debatojnë këto çështje të rëndësishme, çfarë duhet të bëjmë që t’i bëjmë ato të diskutueshme, si të nxisim krijimin e këtyre institucioneve dhe besueshmërinë e tyre?
Nga Ardian Fullani
Guvernator i Bankës së Shqipërisë
Debati për rolin e shtetit është një argument tejet i rëndësishëm, veçanërisht po ta shohim nga këndvështrimi i teorisë së ciklit të biznesit, kur analizojmë filozofinë, rolin dhe masën e ndërhyrjes së qeverisë, për të korrigjuar luhatjet afatshkurtra në ekonomi, apo rishpërndarjen e të ardhurave që gjeneron ekonomia.
Në prononcimet e mia për këtë argument gjithmonë jam nisur dhe kam dashur të diskutoj rolin e shtetit në ekonomi nga këndvështrimi i teorisë së rritjes ekonomike afatgjatë. Në praktikë, këto modele njihen si: modeli aziatik, përmes rritjes së shpejtë të eksporteve ose modeli irlandez përmes nxitjes dhe rritjes së shpejtë të teknologjisë.
Në këtë rast e gjithë super struktura shtetërore është ndërtuar e tillë që të mbështesë transformimin e ekonomisë (strukturës ligjore, ekonomike, prodhuese, akademike, dhe pedagogjike deri edhe natyrën e politikës së jashtme) në përputhje me planin e madh strategjik të zhvillimit.
Për ta ilustruar më thjeshtë konceptin e mësipërm, le të pyesë gjithsecili vetveten për një çast:
Cili është përfytyrimi im për shkallën e zhvillimit ekonomik dhe financiar të vendit në 30 vitet e ardhshme?
Cilat do të jenë karakteristikat dalluese të ekonomisë sonë gjatë kësaj periudhe?
Cilit model do t’i përmbahemi në këtë proces të gjatë ndryshimesh dhe përshtatjesh të njëpasnjëshme?
Si do të adoptohet baza ligjore, po struktura e ekonomisë në favor të kujt do të ndryshojë?
A do të ketë një rol të veçantë për jetën akademike, mendimin shkencor?
Ky është debati që ne duam të nxisim.
Njohja e zhvillimeve dhe reformave të pritshme strukturore për ekonominë është një domosdoshmëri për ne dhe për politikat tona në mënyrë që ato të mbështesin tendencat e zhvillimit të ekonomisë, me qëllim garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar të vendit. Është e vështirë që një institucion i vetëm, me një fjalë të vetme, të hartojë të gjithë këtë strategji.
Për më tepër është e gabuar, sepse siç thashë më lartë ky debat është pronë e shoqërisë, e cila duhet të ketë rol proaktiv si në dizenjimin ashtu edhe në zbatimin e tij. Mendoj se përveç diskutimit të përgjithshëm, këto janë temat ku e shoh me vend të përqendrohet diskutimi mbi modelin e ri të rritjes.
Aktiviteti ekonomik i vendit në 20 vitet e fundit ka përkuar me një periudhë relativisht të gjatë të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, duke filluar nga mbështetjet me fonde të deficiteve të bilancit të pagesave, duke vazhduar me programet e stabilizimit dhe të reduktimit të varfërisë, për të arritur deri tek marrëveshjet më liberale me terma tregtare në vitet e fundit.
Të ardhurat e ulëta për frymë, disbalancimet e mëdha që trashëguam, bënë që fonde të mëdha valutore të hynin në formën e ndihmave ose kredive të buta. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e pandërprerë të prurjeve valutore nga emigracioni dhe procesi i privatizimit. Për rrjedhim, gradualisht me stabilizimin e parametrave bazë u krijuan kushtet për një rritje të shpejtë të aktivitetit tregtar me botën, veçanërisht përsa i takon importeve.
Një shtysë e madhe ishte dhe konsolidimi i sistemit bankar, i cili rriti ndjeshëm kreditimin e ekonomisë në vitet e fundit. Konsumi i brendshëm njohu rritje të pandërprerë. Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese të brendshme çoi në thellimin e vazhdueshëm të llogarisë korente nga njëri vit në tjetrin.
Ky ishte pak a shumë modeli që mbizotëroi zhvillimin ekonomik të vendit këto 20 vitet e fundit, një model që u përhap në të gjithë vendet e Evropës ish-komuniste dhe që u njoh me emrin ‘procesi i përafrimit të shpejtë’ (catching – up process). Kriza e fundit e ndërpreu këtë mekanizëm të financimit të konsumit me borxhe.
Është fakt se kjo krizë i dha fund bollëkut financiar dhe dëshirës se investuesve për të pranuar rrezikun. Me fjalë të tjera kursimtarët e vendeve të zhvilluara dhe ekonomive në zhvillim nuk kanë dëshirë që të venë fondet e tyre në dispozicion të konsumatorëve që këta të fundit të rrisin prodhimin duke blerë apartamente, makineri, bërjen e pushimeve jashtë shtetit apo blerjen e mallrave të tjerë konsumi.
Sot kalimi i këtyre vendeve nga ekonomi në tranzicion në ekonomi në zhvillim kërkon thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore dhe zbatimin e modeleve të reja të rritjes ekonomike.
Të gjithë duhet të kuptojmë se rritja ekonomike e mbështetur në konsumin e nxitur nga kredia, ka lënë pasoja negative në ekonomi. Niveli aktual i borxhit që kemi akumuluar me këtë model është relativisht i lartë.
Ai është i dukshëm në deficitet e larta tregtare dhe korente që ne kemi akumuluar gjatë 20 viteve të fundit. Aktualisht në vitet e fundit deficitet tona ndaj botës paraqiten në një nivel rekord prej rreth 14 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit. E thënë më thjeshtë çdo vit ne konsumojmë rreth 14 për qind të prodhimit që do të realizojmë në të ardhmen.
Studime të ndryshme empirike argumentojnë se për të ruajtur ekuilibrin e jashtëm ekonomik, Shqipëria duhet të mbajë deficitin korent jo më të lartë se 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Për pasojë, përpjekjet për të reduktuar deficitin korent në nivele të qëndrueshme afatgjata do të ndikonin në rritjen e potencialeve të prodhimit të brendshëm dhe rrjedhimisht në strukturën, apo modelin e rritjes ekonomike në vend. Llogaria korente e një vendi është, sipas identitetit ekonomik, i barabartë me kursimet minus investimet brenda vendit.
Pra, për të ulur deficitin korent Shqipëria duhet të rrisë kursimet (apo të ulë konsumin) ose të reduktojë investimet kombëtare. Mbajtja e ritmeve të larta në kryerjen e investimeve është e domosdoshme pasi ato janë baza e rritjes ekonomike.
Për këtë qëllim, është e nevojshme të orientohemi drejt një modeli të ri që mban nivelin e kursimeve në balancat optimale. Kjo na nxjerr në një tjetër argument të rëndësishëm. Infrastruktura e tregut financiar dhe instrumentet e ofruara prej tij kanë ende nevojë, si për nxitjen e kursimeve ashtu edhe për financimin e investimeve.
Instrumentet aktuale në formën e depozitave dhe investimet në letrat me vlerë të qeverisë janë afatshkurtra, me afat maturimi deri në pesë vjet. Rrjedhimisht ato nuk e nxisin individin të barazojë, të peshojë vlerën e konsumit sot, kundrejt konsumit në të ardhmen. Ndryshe nga ekonomia jonë, struktura e kursimeve në ekonomitë e zhvilluara është dukshëm në favor të investimeve afatgjata, kryesisht në formën e fondeve të pensionit, instrumente këto që japin nxitjet e duhura për të rritur kursimet afatgjata që mbështet modeli i ri i rritjes ekonomike. Për këtë qëllim kam qenë disa herë vokal për nevojën e një reforme në fushën e pensioneve.
Tema të tilla mbi rolin e kapitalit dhe faktorëve të tjerë të prodhimit janë trajtuar gjerësisht nga teoritë e rritjes ekonomike, ndaj dhe ne mund të themi të njëjtën gjë për rolin e madh që ka toka si faktori kryesor dhe më i kufizuar i prodhimit.
Çfarë e pengon këtë faktor të rëndësishëm që të japë të njëjtin prodhimtari si në ekonomitë e zhvilluara ose të paktën si në ekonomitë e rajonit?
Në këtë pikë nuk dëshiroj të ndalem dhe të përsëris veten duke pasur parasysh se përdorimi i tokës do të varet edhe nga objektivat specifikë që do t’i vëmë ekonomisë tonë për 30 vitet e ardhshme. Dëshiroj të vazhdoj më tej diskutimin e teorisë së re të rritjes ekonomike.
Kjo teori përcakton se aftësia e një ekonomie për t’u rritur përcaktohet shumë nga aftësia e saj për të qenë konkurruese dhe për të prodhuar ose për t’iu përshtatur shpejt dhe me eficence teknologjive të reja të prodhimit. Këto teori e shikojnë konkurrueshmërinë e ekonomisë në aftësinë e saj për të gjeneruar novacion shkencor, për të rritur produktivitetin në prodhim përmes një fuqie punëtore të lirë.
Kështu, konkurrueshmëria nuk është atribut i vlerave monetare që zotëron një vend, por i aftësisë së fuqisë punëtore për të rritur produktivitetin e punës më shpejt se koston e punës. Këto teori nxjerrin në pah rëndësinë e madhe të kapitalit njerëzor dhe të teknologjisë në rritjen ekonomike.
Pa dashur të përcaktoj natyrën dhe drejtimin që duhet të marrë edukimi dhe arsimi për të pasur një fuqi punëtore konkurruese në shekullin e 21 (kjo duhet të jetë pjesë e debatit që përmenda në fillim) dua të tërheq vëmendjen dhe të nxisë diskutimin në dy aspekte kryesore: natyra e edukimit aktual dhe instrumentet e tregut për pronësinë intelektuale. Së pari strategjitë tona të edukimit nga këndvështrimi i kërkesës janë përgjithësisht të bazuara në pritshmëritë përshtatëse apo si njihen në literaturë me pritjet adaptive dhe jo në pritjet racionale të individëve.
E thënë thjeshtë, përzgjedhja e një shkollë të mesme ose të lartë bëhet duke parë nga e shkuara dhe jo nga e ardhmja. Mjafton të kujtojmë se gjate 10 viteve të fundit tregu i punës tregon se ka gjeneruar vende pune në sistemin bankar, në sektorin e ndërtimit, ose ka siguruar të ardhura të larta në sektorin e jurisprudencës.
Ne kemi shumë juristë, ekonomistë, inxhinierë ndërtimi dhe arkitektë. Bazuar në shifrat e fundit të INSTAT-it, edhe gjatë vitit 2008 degët më të preferuara për studim nga studentët mbetën ekonomiku (17 %), juridiku (6.4 %), farmacia, inxhinieria e ndërtimit, si dhe shkencat politike, të cilët përbëjnë afërisht 42 % e studentëve të diplomuar. Degë që për vite me radhë kanë qenë tepër të kërkuara duke shkaktuar një mbingopje të tregut me të tillë specialistë.
Ndërsa përsa i përket degëve të ekonomisë, si inxhinieritë në degët e industrisë mekanike, metalurgjisë, inxhinierisë së minierave, kimi industriale, matematikë, fizikë, numri i studentëve të diplomuar është ulur shumë në krahasim me 10 vitet e kaluara, duke përbërë vetëm 5 % të studentëve të diplomuar gjatë vitit 2008.
Një ndër problemet që ka modeli aktual i rritjes ekonomike është se ky kontingjent do të përballet me një strukturë ekonomie që nuk do të jetë e aftë që t’i përfshijë këta specialistë në të ardhmen. Pavarësisht se reformat në arsim kanë rezultuar të suksesshme (reflektohet në numrin e individëve që marrin pjesë në arsimin bazë dhe të mesëm), pjesëmarrja në arsimin e lartë është ende e ulët, vetëm 28 % . Kjo shifër është ende larg vendeve ku duhet të konvergojmë, mesatarisht mbi 50 %, (Italia 67 %, Greqia 95 %, Çekia 50).
Mendoj se edhe degëzimi i arsimit të lartë duhet t’i përshtatet më mirë nevojave dhe ambicieve të zhvillimit ekonomiko-social të vendit në të ardhmen. Një situatë e ngjashme mund të vërehet edhe në arsimin e mesëm. Në fillimin e viteve ‘90, rreth 50 % e nxënësve të shkollës së mesme ndiqnin shkollat profesionale, ndërkohë që gjatë vitit 2009-ë vetëm 16 % e nxënësve specializohen në një profesion të caktuar. Krijimi i një hendeku të tillë midis nevojave të tregut dhe krijimit të kapitalit njerëzor duke u specializuar përgjithësisht si teknicienë, nuk përbën një zgjedhje optimale për zhvillimin afatgjatë.
Për sa kohë nuk kemi një diskutim mbi prioritetet dhe degët që duhet të favorizohen në zhvillimin e vendit është e pamundur që të adaptojmë një prirje racionale në kërkesën për edukim. Tregu i punës me të dhënat e tij siguron një ushqim të domosdoshëm për një vendimmarrje të shëndoshë të politikës monetare dhe të politikave ekonomike në përgjithësi.
Tregu i punës duhet të luajë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e kurikulave të studimit në sistemin tonë arsimor, jo vetëm nga këndvështrimi i raporteve të pjesëmarrjes (kapaciteteve) programeve aktuale dhe teksteve, por edhe nga këndvështrimi i kuadrit akademik dhe bazës materiale për ushtrimin e dijeve akademike. Si përputhen këto programe dhe pjesëmarrja në to, në lidhje me objektivat afatgjata ose afatshkurtra të zhvillimit të bizneseve shqiptare? Sa rol luajnë bizneset shqiptare në financimin e këtyre programeve?
Këto janë tema shumë të rëndësishme për t’u diskutuar në kuadrin e modelit të rritjes ekonomike. Përgjithësisht në tregun shqiptar është e vështirë të identifikosh nëse ekzistojnë ato instrumente financiare e shoqërore që mundësojnë këtë bashkëpunim midis arsimit dhe biznesit.
Si konkluzion mund të thuhet se zhvillimi i kapaciteteve njerëzore në rastin tonë është një fenomen rastësor me vështrim nga e kaluara që nuk i vlen domosdoshmërish të ardhmes dhe modelit të saj.
Forumet dhe institucionet përkatëse duhet të jetë pjesë e rëndësishme e diskutimeve rreth modelit të rritjes. Një element i rëndësishëm në hartimin e modelit të ri ekonomik, ndaj të cilit sistemet tona akademike, të biznesit dhe atij shtetëror nevojiten të drejtojnë vëmendjen është pronësia intelektuale dhe mekanizmat mbështetës së saj. Pronësia intelektuale si një përbërës i rëndësishëm i zhvillimit të teknologjisë merr një rol të dyfishtë në zhvillimin ekonomik të një vendi.
Ajo kthehet jo vetëm në një mbështetëse të fuqishme të rritjes ekonomike por duke nxitur teknologjinë, është edhe objekt i zhvillimit ekonomik. Së fundi dua të ndalem në aspektin global të modelit të rritjes.
Në ekonominë e sotme globale përcaktimi i standardeve dhe produkteve konkurruese është pjesë e lojës globale. Nëse shikoni planet e zhvillimit të ekonomive të rajonit që na rrethojnë, ato më shumë i ngjajnë konkurrencës midis vendeve sesa një bashkëpunimi rajonal, i cili do të mundësojë krijimin e një tregu të përbashkët për shkak edhe të natyrës së ngjashme të ekonomive të rajonit.
Modeli i ri ekonomik i vendit duhet të ripërcaktojë edhe rolin e Shqipërisë në rajon. Ekonomia shqiptare duhet të ristrukturohet për të gjetur vendin e saj në ekonominë mbarë botërore, e cila përfshin edhe ridimensionimin e saj në rajon, me qëllim që politikat e zhvillimit ekonomik të vendeve të Ballkanit të jenë kolineare.
Të gjitha këto çështje të shtyjnë në një pyetje: Çfarë e pengon ekonominë shqiptare të krijojë institucionet që duhet të debatojnë këto çështje të rëndësishme, çfarë duhet të bëjmë që t’i bëjmë ato të diskutueshme, si të nxisim krijimin e këtyre institucioneve dhe besueshmërinë e tyre?