English

Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, ballo bamirësie me VIP-at shqiptarë

Më shumë foto, te Galeria

Tiranë, 5 Tetor 2010 NOA - Si çdo vit, Fondacioni Fëmijët Shqiptarë, me Presidente gruan e kryeministrit, Liri Berisha, organizuan mbrëmjen Gala te Bamirësisë, ku tema e këtij viti ishte finalizimi i Qendrës Kombëtare të Zhvillimit për Fëmijë.

Qendra e re do të krijojë kushte bashkëkohore për trajtimin e përditshëm të më shumë se 100 fëmijëve, si dhe vlerësimin dhe diagnostikimin e më shumë se 1000 fëmijëve në vit. Qendra do të ketë ambiente të nevojshme për psikologë, logopedistë, punonjës socialë, terapistë për të kryer terapi individuale dhe grupi, si dhe këshillime për prindërit. Qendra, në ambientet e saj do të ketë palestrën dhe pishinën terapeutike.

Qendra është konceptuar gjithashtu si një bërthamë shkencore ku specialistë të ndryshëm nga Shqipëria do të kenë mundësinë të kryejnë kërkime shkencore në fushën e Autizmit dhe zhvillimit të fëmijëve, duke patur në dispozicion si ambientet klinike ashtu edhe ambientet e bibliotekës, etj.

Gjithashtu Qendra, me sallën e saj të konferencave dhe seminareve si dhe të ambienteve të tjera, do të zhvillojë programe trajnimi të specialistëve të ndryshëm dhe të studentëve të fushës.

Në këtë mbrëmje ishin të pranishëm rreth 300 persona, ndër të cilët dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, ambasadorë e përfaqësues organizatash ndërkombëtare në Shqipëri si dhe përfaqësues të biznesit shqiptar e të huaj.

Gjate fjalës përshëndetëse, Znj. Berisha u shpreh se “kemi ndjerë mirënjohjen e shumë e shumë prindërve dhe fëmijëve të shpëtuar, respektin e dhjetëra jetimëve që sot vazhdojnë shkollat e larta, dashurinë e të moshuarve në azilet ku jetojnë vitet e fundit të jetës së tyre, falënderimin e prindërve të fëmijëve talasemike që luftojnë çdo ditë për piken e gjakut që është barazi me jetën”.

Me tej Znj. Berisha vazhdoi “Jam ndjerë gjithmonë krenare për pjesëmarrjen dhe rolin që kanë luajtur donatorët private në problematiken sociale të cilat trajton Fondacioni. Një pjesë prej tyre janë sonte në këtë sallë, por unë dua t'i falënderoj të gjithë për kontributin e tyre të çmuar pa të cilin nuk do të kishim mundur të arrinim këtu ku jemi sot dhe për besimin e treguar ndaj nesh.” Gjithashtu, të pranishmit u përshëndetën dhe nga themeluesi i Fondacionit Z. Domenick Scaglione i cili falënderoi Zj. Berisha për përkushtimin dhe punën e madhe që po bën për fëmijët shqiptarë në nevojë.

Gjate mbrëmjes, ishte e pranishme dhe përshëndeti ministrja e Turizmit të Italisë Znj. Michela Vittoria Brambilla. Znj. Brambilla vlerësoi Znj. Berisha për angazhimet dhe përpjekjet për të ndihmuar fëmijët shqiptarë si dhe përcolli përshëndetjet më të përzemërta nga Kryeministri Italian Z. Silvio Berlusconi.

Ministrja Brambilla i dorëzoi një medalje Znj, Berisha me motivacionin “Për përkushtim në ndihmë dhe përkrahje të këtyre fëmijëve të mrekullueshëm”.

Mbrëmja Gala ishte e mbushur me emocione të cilat kulmuan me shfaqjen e një dokumentari me aktivitetet e Fondacionit dhe me përformancën live të sopranos shqiptare me famë botërorë Inva Mula.

Gjithashtu, përveç një programi të këndshëm artistik, u organizua dhe një ankand me 16 vepra arti. Të gjitha veprat e artit ishin përzgjedhur me kujdes të veçantë nga koleksionet e piktoreve shqiptarë me aktivitet të njohur artistik, si: Sotiraq Kuqali, Shkëlqim Kokonozi, Ali Oseku, Genti Korini, Vangjush Tushi, Heldi Pema, Milto Jorgji, Orion Shima, Arben Bajo, Rafael Dembo, Alush Shima, Ibrahim Kodra, Kostandin Shpataraku, Vangjush Tushi, Alban Hajdinaj dhe Eltion Valle.

Të ardhurat nga ankandi janë rreth 200 mijë euro të cilat se bashku me të ardhurat nga e gjithë mbrëmja Gala do të përdoren për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Zhvillimit për Fëmijë.

Mbrëmja Gala ishte dhe një moment për të hedhur sytë përpara në axhendën e ngjeshur të Fondacionit, e cila sigurisht ka nevojë për vazhdimësinë e këtyre mbështetjeve për të qenë sa më pranë fëmijëve që kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje.

e.r/NOA

Më shumë foto, te Galeria

KOMENTE