English

Gjenerali Clark i prezanton Berishës, projekt biznesi për lojërat e fatit

Tiranë, 5 tetor, NOA – Kryeministri Berisha priti sot në një takim gjeneralin amerikan Wesly Clark, i cili po zhvillon një vizitë pune në Shqipëri , si përfaqësues biznesi.

Duke e falënderuar për pritjen, gjenerali Clark i shprehu Berishës faktin se impresionohet sa herë vjen në Shqipëri me ndryshimet e dukshme dhe të prekshme kudo që ai shkon.

Në këtë kontekst, ai u shpreh se reformat e ndërmarra nga qeveria e shqiptare kanë ngjallur interes të madh tek grupe të njohura biznesi nga Amerika dhe Kanadaja.

Gjenerali Clark ndodhet në Shqipëri për t’i prezantuar kryeministrit Berisha një projekt - propozim të rëndësishëm në fushën e qeverisjes elektronike.

Ai u shpreh se ishte njohur me përpjekjet e qeverisë shqiptare për të prezantuar sistemin elektronik në shumë fusha, me qëllim rritjen e transparencës dhe efiçencës së veprimtarisë së saj dhe se projekti që ai propozon është në linjë me reformat e filluara.

Gjatë takimit, gjenerali Clark i prezantoi kryeministrit Berisha një sistem elektronik kontrolli dhe menaxhimi të lojërave të fatit, i cili garanton transparence dhe efiçencë në procesin e funksionimit të lojërave të fatit, elektronike, si dhe vjeljen reale të taksave nga ky lloj biznesi.

Si rezultat i aplikimit të këtij sistemi, rriten më shumë se 100 milion të ardhurat e pavjela nga lojërat e fatit online, akoma të pakontrollueshme.

Ky është një tjetër funksion që rrit transparencën e biznesit ndaj autoriteteve të mbledhjes së taksave dhe që siguron kontrollin e plotë dhe efiçent të këtij sektori biznesi.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi gjeneralin Clark për interesin që ai tregon, për mbështetjen e biznesit dhe investimeve te huaja në Shqipëri si dhe për pjesëmarrjen e tij aktive në bordet drejtuese të këtyre bizneseve në favor të investimeve në Shqipëri.

Berisha i tha gjeneralit Clark se qeveria shqiptare si dhe ajo e Kosovës e vlerësojnë atë për kontributin e dhënë më parë dhe për kontributin e tanishëm.

Kryeministri u shpreh se projekti do të shqyrtohej dhe vlerësohej konform ligjeve dhe rregullave në fuqi, nga ministritë përkatëse.

n.e/NOA

KOMENTE