English

Haxhinasto: Falenderime Italisë për mbështetjen në BE

Tiranë, 5 tetor, NOA – Mbështetja e Italisë në kuadër të axhendës evropiane të Shqipërisë është e spikatur dhe për këtë, ajo meriton falënderime nga ana e palës shqiptare.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ia ka bërë me dije ambasadorit të Italisë në Tiranë, Saba D’Elia.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik e të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve, si dhe dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për dinamikën e lartë të shkëmbimeve, si në fushën politike e ekonomike, ashtu edhe në të gjitha fushat e tjera, që e bëjnë bashkëpunimin mes dy vendeve mjaft të rëndësishëm dhe shumëplanësh.

Ministri Haxhinasto i shprehu ambasadorit D’Elia mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme që qeveria italiane i jep axhendës evropiane të Shqipërisë, duke evidentuar, në mënyrë të veçantë, rolin e ministrit të Jashtëm italian Frattini për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe për përfundimin me sukses të procesit të lëvizjes pa viza të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të zonës Shengen.

Në frymën e Deklaratës për Vendosjen e një Partneriteti Strategjik, ministri Haxhinasto dhe ambasadori d’Elia theksuan vullnetin dhe gatishmërinë e përbashkët për t’i dhënë përmbajtje këtij dokumenti të rëndësishëm.

n.e/NOA

KOMENTE