Tiranë, 5 tetor, NOA – Ngritja e Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik me Izraelin, do të sjellë një interes të ri për investimet e kompanive izraelite në Shqipëri.
Ky fakt u theksua nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ndaj ministrit të Inteligjencës dhe Energjisë Atomike të Izraelit, Dan Meridor, gjatë një takimi të përbashkët.
Haxhinasto dhe Meridor vlerësuan marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Izraelit dhe shprehën gatishmërinë për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim në fusha me interes të ndërsjellë, kryesisht në drejtim të shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, konsultimeve politike, bashkëpunimit ekonomik, arsimor, kulturor etj.
Më tej, Haxhinasto theksoi rëndësinë e njohjes së Pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nisur dhe nga opinioni i dhënë nga GJND.
Në këtë kontekst, ai nënvizoi se ky vendim do të kontribuojë në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë.
Në përfundim, Haxhinasto u shpreh se qeveria shqiptare ndjek me vëmendje bisedimet për paqen në Lindjen e Mesme, dhe mbështet zgjidhjen e konfliktit në ekzistencën e dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe dhe siguri.
n.e/NOA