English

Italianët e “FIN Mecanica”, i paraqesin projektet Berishës

Tiranë, 5 tetor, NOA – Kryeministri Berisha priti sot një grup investitorësh italianë të kompanisë ndërkombëtare me origjinë italiane, “FIN Mecanica”, të kryesuar nga kryetari i bordit dhe drejtori ekzekutiv i saj, Pier Françesko Guarguaglini.

Duke falënderuar kryeministrin për mikpritjen, Guarguaglini u shpreh se ishte hera e parë që vizitonte Shqipërinë dhe se Bordi i drejtuesve të kompanisë vendosi të konsideronte mundësinë e shtrirjes së aktivitetit të tyre edhe në vendin fqinj, duke u nisur nga arritjet ekonomike të Shqipërisë, të cilat ishin shumë impresionuese për kompaninë e tij.

Kompania “FIN Mecanica” ka identifikuar disa fusha të mundshme bashkëpunimi me qeverinë apo biznesin shqiptar, midis të cilave sektorin e transportit, ku kjo kompani është lider në botë, në prodhimin e mjeteve të transportit urban e hekurudhor, si autobusa dhe trena, si dhe menaxhimin e shërbimit të transportit.

Kompania, e cila njihet për eksperiencat e saj dhjetëra-vjeçare, në këtë fushë, në mbarë botën, së fundmi është nderuar me çmimin ndërkombëtar, për rregullimin e modernizmin e sistemit urban në Danimarkë.

Fusha e dytë, në të cilën shihen mundësi investimi është ajo e sigurisë dhe kontrollit të kufijve detarë dhe tokësorë. Edhe në këtë fushë, “FIN Mecanica” ka aktivitet të gjerë dhe të shumëllojtë, si në prodhimin e mjeteve të kontrollit po ashtu dhe në aplikimin e sistemeve mbrojtës.

Në këtë sektor, përfshihet gjithashtu edhe kontrolli dhe siguria e trafikut ajror nëpërmjet sistemeve të integruara që ato disponojnë.

Sektori i tretë, i cili ofron potencial për investime është dhe sektori i energjisë. Kjo kompani prodhon turbina për central dhe është e interesuar për rritjen e impianteve të prodhimit të energjisë qoftë hidro, qoftë me gaz dhe cikël të kombinuar.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi drejtuesin e kompanisë ndërkombëtare FIN Mecanica, Guarguaglini dhe u shpreh se ndihej i nderuar që një kompani gjigande e mirënjohur konsideronte Shqipërinë si një vend potencial për shtrirjen e aktivitetit të tyre. Në këtë kontekst, kryeministri u shpreh se prania e kësaj kompanie në Shqipëri është dëshmi e forcimit dhe thellimit të marrëdhënieve shumë të mira, në të gjitha fushat që ekzistojnë mes dy vendeve tona, Italisë dhe Shqipërisë.

Duke i njohur investitorët italianë me situatën ekonomike në vend dhe fushat me interes për investime, kryeministri Berisha u shpreh se sipërmarrja shqiptare është në një fazë të tillë zhvillimi që justifikon dhe garanton suksesin e projekteve të tyre.

Kryeministri theksoi se të treja fushat e konsideruara me interes për investim nga kompania “FIN Mecanica” janë fusha që po rriten dhe zhvillohen me shpejtësi , të cilat kanë qenë të qendër të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare.

Duke u ndalur më gjerësisht, kryeministri u shpreh se modernizimi i ushtrisë, para dhe pas hyrjes në NATO është i rëndësishëm për qeverinë shqiptare, po kështu kontrolli dhe mbrojtja e kufijve ajrorë, detarë dhe tokësore. Për sa i përket energjisë, Kryeministri tha se energjia është sektori me bumin më të madh në dy vitet e fundit dhe me numrin më të mëdha të projekteve në zbatim, kurse për sa i takon transportit, Kryeministri u shpreh se ka qenë dhe është një fushë me shumë prioritet i qeverisë shqiptare dhe një bazë e rëndësishme e sukseseve të arritura deri më sot.

Në këtë kuadër, kryeministri theksoi se modernizimi dhe rregullimi i transportit urban edhe pse detyrë dhe përgjegjësi e pushtetit lokal është domosdoshmëri të konsiderohet edhe nga pushteti qendror, prandaj propozimet e kompanisë me kaq eksperiencë dhe standarde ndërkombëtare do të konsiderohen me interes nga qeveria shqiptare .

Guarguaglini i tha kryeministrit Berisha se në vizitën e tij të parë po takonte dhe bisedonte me te gjithë ministrat e linjës që mbulojnë fushat e interesit për investim, si ministrin e ekonomisë, transportit, mbrojtjes, të brendshëm , etj dhe së shpejti do të kthehej në Shqipëri me projekte konkrete.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha i premtoi mbështetjen e plotë të projekteve të tyre, nga të gjitha nivelet e qeverisjes.

n.e/NOA

KOMENTE