Mitrovicë, 5 tetor, NOA – Monitorues të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, vizituan para disa ditësh qendrën e paraburgimit në Mitrovicë dhe biseduan me drejtuesit e saj për gjendjen aktuale dhe problemet me të cilat ajo përballet.
Monitoruesve të KMDLNj-së iu mundësua vizita e të gjitha objekteve fizike në kuadër të qendrës së paraburgimit si dhe biseda me të gjithë personat e paraburgosur apo të dënuar të cilët janë në vuajtje të dënimit në qendrën e paraburgimit në Mitrovicë.
KMDLNj vlerëson se kjo qendër e paraburgimit i plotëson të gjitha kushtet për personat e paraburgosur por jo edhe për të dënuarit me dënime të gjata.
Meqë Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë është në pjesën që nuk është nën kontroll të institucioneve të Kosovës, vizitën në këtë qendër të paraburgimit e mundësoi Shërbimi Korrektues i Kosovës, përkatësisht komisari i SHKK, i cili i shoqëroi vëzhguesit e KMDLNj-së.
n.e/NOA