English

Kryeministri uron homologun letonez për fitoren në zgjedhje

Tiranë, 5 tetor, NOA – Kryeministri Berisha i dërgoi sot një mesazh urimi kryeministrit të Letonisë Valdis Dombrovskis, me rastin e fitores së partisë Era e Re dhe të koalicionit që ai kryeson, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, të zhvilluara të dielë në Letoni.

“Rikonfirmimi juaj dhe i koalicionit, që Ju kryesoni, nga vota plebishitare e qytetarëve të Letonisë dëshmon qartësisht se platforma Juaj politike e qendrës së djathtë mbetet alternativa më e mirë për përballimin e sfidave si pasojë e krizës globale dhe për të ardhmen e zhvillimit e të modernizimit të mëtejshëm të vendit Tuaj, si dhe për prosperitetin e qytetarëve të tij”, shkruan Berisha në këtë mesazh.

Duke shtuar se fitorja e së djathtës në Letoni, është një ngjarje e shënuar për mbarë spektrin e qendrës së djathtë europiane dhe rikonfirmim i shkëlqyer se e djathta europiane është dhe do të mbetet vizioni më i qartë për të ardhmen më të mirë të Europës dhe të popujve të saj.

“Duke shprehur bindjen time më të thellë për suksesin e qeverisë së koalicionit, që Ju do të ndërtoni, gjej rastin t’ju ripërsëris vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të zgjeruar dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve në kuadrin dypalësh dhe në kuadër të integrimit europian të Shqipërisë, në dobi të së mirës e të interesit të ndërsjellë të të dy popujve e vendeve mike”, thotë ai më tej.

Duke përfunduar se i shpreh homologut letonez vendosmërinë e Partisë Demokratike të Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë e frytdhënës dypalësh me partinë Era e Re dhe në kuadër të Partisë Popullore Europiane.

n.e/NOA

KOMENTE