English

Meta-Meridor: Të shtohen raportet ekonomike me Izraelin

Tiranë, 5 tetor, NOA – “Ne kemi rënë dakord për të zhvilluar në një të ardhme të afërt ngjarje të rëndësishme në Izrael, por edhe në Shqipëri, për të promovuar oportunitetet që ofron tashmë Shqipëria, për investitorët e huaj në përgjithësi, por edhe për investitorët izraelitë në mënyrë të veçantë”.

Kështu u shpreh sot ministri i Ekonomisë, Ilir Meta në një takim me ministrin e Energjisë Atomike të Izraelit, Dan Meridor.

Ata ranë dakord që në një të ardhme të afërt të krijojnë një komision të përbashkët mes dy vendeve, i cili do të evidentojë prioritetet e bashkëpunimit, kuadrin ligjor të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e rinovuar dhe kompletuar më tej atë, në mënyrë që të bëhet më e lehtë rruga për investitorët e dy vendeve.

Nga ana e tij, Dan Meridor shprehu vullnetin e tij dhe të qeverisë izraelite për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë.

“Mendoj që potenciali i Shqipërisë për tu rritur ekonomikisht ende nuk është shprehur. Ai ka nevojë që të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar dhe ne do të bëjmë çmos në interes të dy vendeve, Shqipërisë dhe Izraelit, për të promovuar marrëdhëniet tona të bashkëpunimit në ekonomi dhe në fusha të tjera”, tha ai.

n.e/NOA

KOMENTE