English

Ndahet nga jeta Pitkini, simboli i humorit

Londër, 5 tetor, NOA – Eshtë ndarë nga jeta në moshën 95-vjeçare, aktori i njohur britanik i humorit, Norman Uisdom, i njohur me rolin e Pitkinit dhe mjaft i dashur për teleshikuesit shqiptarë me filmat e tij komikë.

Ata patën rastin ta shihnin nga afër ndërsa ai vizitoi vendin tonë në vitin 2001, kur Shqipëria ndeshej me Anglinë dhe me pjesëmarrjen e tij në stadium, arriti që të sfumonte edhe lavdinë e të madhit David Bekam, aq i dëshiruar ishte nga publiku.

Vdekjen e tij mësohet se ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa vitet e fundit të jetës, edhe pse i mbështjellë me një lavdi të madhe, Pitkini i kaloi në një shtëpi kujdesi për të moshuar.

Duke filluar që nga viti 2006, ai në mënyrë të vazhdueshme ka vuajtur nga sëmundje kardiake të cilat i shkaktuan humbjen e pjesshme të kujtesës.

Karriera e tij artistike do të niste që gjatë Luftës së dytë Botërore, duke përcjellë pas saj me qindra role kryesisht komike, të cilat e bënë të famshëm humorin anglez në kinemanë botërore.

Por ai ka shënuar edhe karrierë muzikore me disa albume, përfshirë këtu edhe një këngë kushtuar Shqipërisë me titull “Big in Albania” - “I madh në Shqipëri”.

n.e/NOA

KOMENTE