Tiranë, 5 tetor, NOA – “E konsiderojmë gjendjen shumë të rëndë. Kemi presion shumë të madh nga opinioni publik, që të fillojë revolta masive, protesta të nivelit shumë të ashpër’.
Kështu u shpreh sot Spartak Ngjela, kryetari i partisë Ligj dhe Drejtësi, në fund të takimit të koalicionit opozitar, i cili ka marrë tashmë emrin “Opozita e Bashkuar”.
“Vendosëm që duke filluar nga data 15 tetor, brenda javës së tretë të fillojnë protestat në rrethe, në të gjitha qendrat e mëdha urbane, qytetet e mëdhenj dhe pastaj të kthehemi për të vendosur datën e një proteste masive në Tiranë”, tha ai.
Sipas tij, protesta është largimi me çdo kusht i një qeverie, e cila duke qenë e paligjshme abuzon në mënyrën më barbare që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë.
“Nuk ka patur asnjëherë qeveri më të papërgjegjshme, më abuzive dhe më anti-shoqërore sesa kjo që është sot në Shqipëri, duke përfshirë që nga viti 1912”, tha ai.
Duke përfunduar se kjo qeveri do të detyrohet të largohet me protesta deri në rrëzimin e saj dhe protestë do të thotë forcë popullore.
n.e/NOA