Tiranë, 5 tetor, NOA – Tryeza e krerëve të partive të majta, e mbledhur sot nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tashmë nën siglën “Opozita e Bashkuar, vendosi sot nisjen e protestave të mëdha popullore në të gjithë vendin me synimin për të larguar nga pushteti qeverinë Berisha.
Nisjen e protestave e deklaroi pas përfundimit të tryezës, kryetari i partisë “Ligj dhe Drejtësi”, Spartak Ngjela, i cili bëri me dije se “protestat do të nisin pas datës 15 tetor nëpër rrethe dhe më pas do të kulmojnë me protestën e madhe në Tiranë”.
Sipas tij është gjendja e padurueshme politike dhe ekonomike që bëjnë potenciale nevojën e largimit të qeverisë me protesta të mëdha popullore.
Ngjela theksoi sakaq se “Qytetarët, kërkojnë largimin me çdo kusht të qeverisë, një qeveri që duke qenë e paligjshme, pasi sipas opozitës ka vjedhur votat e zgjedhësve, vepron në mënyën më barbare të mundshme”.
Me tone më të buta ka folur pas kësaj tryese, kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i cili tha se “nuk do të jetë nevoja për protesta të dhunshme dhe protestat do të jenë të paqta e të qeta”.
Opozita e bashkuar u mblodh sot pas disa javësh, që ajo i adreson qeverisë akuza të shumta për korrupsion dhe bashkëpunim me mafian, një situatë që për opozitarët shqiptarë nuk mund të zgjidhet më përveçse me protesta popullore.
mit/NOA