Nga Isuf Kadriu
Analistët në Shkup nuk presin asgjë spektakulare nga nisma e LSDM-së për fillimin e protestave për rrëzimin e qeverisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski. Sipas tyre, rejtingu i lartë që gëzon Gruevski pamundëson arritjen e qëllimit të opozitës. Analistët nuk presin asgjë as nga opozita shqiptare, e cila, siç thonë ata, për shkak të përçarjes, nuk do të jetë në gjendje t'i bëjë ballë BDI-së në pushtet Koment i radio Evropa e Lirë
Më 11 tetor, ditë kjo që përkon me fillimin e luftës kundër fashizmit në vitin 1941, opozita maqedonase do të fillojë protestat për rrëzimin e, siç thuhet, qeverisë jopopullore të kryeministrit Nikolla Gruevski. Protestat do të fillojnë nga qyteti i Prilepit, ku edhe kishte nisur Lufta Nacionalçlirimtare. Përmes protestave të tilla, Lidhja Socialdemokrate (LSDM) e ish-presidentit, Branko Cërvenkovski, synon arritjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, edhe pse anketat e fundit mbi popullaritetin e partive, e nxjerrin sërish si humbësen më të madhe të zgjedhjeve eventuale. Analistët nuk presin asnjë zhvillim dramatik, pasi, sipas tyre, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk varen nga opozita, por vetëm nga vullneti i VMRO-DPMNE-së, e cila ka pushtetin absolut në Maqedoni. “Nuk pres asgjë dramatike, opozita vetëm se po e nxeh atmosferën, dëshiron të ngrejë rejtingun. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund t'i arrijë pa votat e VMRO-DPMNE-së. Pra, zgjedhje mund të ketë vetëm nëse VMRO-DPMNE vendos që të ketë zgjedhje. Por, për momentin ajo nuk është e interesuar për një gjë të tillë, pasi ka shumicën në Parlament, andaj nuk do të kishte arsye që të shkojë në zgjedhje“, thotë Jovan Doneva, nga Instituti Euro-Ballkan. Edhe Isen Saliu, kryeredaktor i së përditshmes në gjuhën shqipe “Lajm”, nuk pret rezultate nga një iniciativë e tillë. Ai thotë se nisma e LSDM-së mund të ketë sukses vetëm nëse fillon të bie rejtningu i VMRO-DPMNE-së dhe i kryeministrit Gruevski. “Mendoj se rejtingu i koalicionit aktual në pushtet, është ende i lartë dhe nuk ka ndonjë parakusht që opozita të mund të realizojë një fushatë të suksesshme për ndryshimin e këtij pushteti. Mirëpo, mendoj se në kohën kur nis të vërehet rënia e rejtingut të pushtetit, kjo mund të jetë një fazë apo një parafazë, e cila do t'i printe një fushate të mëvonshme për ndërrimin e pushtetit”, deklaron Saliu. Profesori universitar, Zdravko Savevski, thotë se është normale që çdo parti opozitare, e cila shënon dallime në rejting, të tentojë t’i përfitojë qytetarët, e në veçanti nëse kihet parasysh synimi i saj për zgjedhje të parakohshme brenda këtij viti. “Nga pikëpamja e tyre, ata po bëjnë atë që mendojnë se mund të ketë efekt të mirë dhe që mund të reflektohet pozitivisht në rast të zgjedhjeve të parakohshme”, thotë Savevski. Duke komentuar pozicionin e partive shqiptare, Isen Saliu thotë se është me rëndësi që të merren në konsideratë edhe qëndrimet e tyre, por, për fat të keq, shton ai, opozita shqiptare vazhdon të jetë e përçarë dhe e paaftë të përballet me partinë shqiptare në pushtet. “Në një shtet multientik, siç është Maqedonia, me rëndësi është edhe ajo që ekziston një iniciativë e tillë nga partitë shqiptare në opozitë. Por, për momentin, opozita është e përçarë në dy parti dhe akoma nuk vërehet ndonjë organizim, i cili do të mund ta rrezikonte Bashkimin Demokratik për Integrim në pushtet", shprehet Saliu. Nismën e LSDM-së, partia e kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, e ka vlerësuar të dështuar, pasi udhëhiqet, siç thuhet, nga njerëz të dështuar politikisht.