English

PD: Beqja, vetëm filozofia e 20%-it të bën të paturp përballë shkeljes së ligjit

Tiranë, 5 tetor, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla ka ripërsëritur kërkesën e grupit të deputetëve demokratë për dorëheqjen e deputetit socialist, Ilir beqja, i cili ka përfituar plot 240 milion lekë nga fondet e taksapaguesve për biznesin e tij.

Metalla rikujtoi se prej disa ditësh një grup deputetësh të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kanë depozituar kërkesën për ndërprerjen e mandatit të kolegut socialist Ilir Beqja, i cili është kapur në flagrancë duke shkelur kushtetutën e vendit dhe se tashmë përballë provave dhe fakteve të qarta të bëra publike, qytetarët presin dorëheqjen e parevokueshme të zotit Beqja.

“Do të ishte minimumi, që mund të bënte ky zotëri, i cili gjatë ushtrimit të mandatit të deputetit ka përfituar fonde publike, në dhunim të hapur të kushtetutës dhe të ligjeve të vendit”, apeloi deputeti demokrat.

Ai i tha deputetit Beqja, se “vetëm filozofia korruptive e 20 përqindëshit të Edvin Ramës mund të të lejojë, që të fusësh duart tek paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe të mos kesh asnjë ndjenjë turpi për këtë”.

Sipas Metallës është psikologjia e bllokmenit të ri ajo që e shtyn deputetin Beqja, të qëndrojë ende në detyrë, megjithëse është kapur mat duke thyer kushtetutën dhe rregullat e tjera të shtetit ligjor.

“Zoti Beqja, duhet të largohesh sa më parë. Tjetër rrugë nuk ke”, përfundoi apelin e tij, deputeti i PD-së, Osman Metalla.

mit/NOA
KOMENTE