Washington, 5 tetor, NOA - Deputetët Idrizi dhe Tahiri u takuan sot në Çikago me kongresmenin Mike Kirk, i cili njihet si një mik i mirë i shqiptarëve dhe i Shqipërisë dhe i dorëzuan atij dosjen me materialet për çështjen çame e i sqaruan gjithë aktivitetin e PDU në lidhje me këtë çështje.
Si një njohës i mirë i situatës politike të Ballkanit, ai diskutoi me Idrizin për situatën sot në Ballkan dhe të dy ranë dakord se pavarësia e Kosovës është një histori e mbyllur dhe e pandryshueshme dhe se të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi duhet të respektohen në çdo rast.
Më pas dy bashkëbiseduesit rrahën mendimet mbi çështjen e fundit të pazgjidhur të Ballkanit, atë të Çamërisë. Në materialet e dorëzuara nga kryetari i PDU-së, Idrizi ishin një sërë dokumentesh ligjorë që faktojnë kërkesat e PDU dhe të gjithë komunitetit çam të Shqipërisë.
Në fund, Idrizi e ftoi kongresmenin Kirk të vinte në një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë e cila u prit me shumë kënaqësi.
Të pranishëm ishin përfaqësuesit e të gjitha shoqatave dhe komuniteteve shqipfolëse nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Deputetët Idrizi dhe Tahiri pasi parashtruan punën 1-vjetore të PDU për promovimin dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare i folën të pranishmeve për planin dhe objektivat konkrete që PDU ka.
Në takim, u ra dakord për mbledhje të herë pas hershme dhe përgatitjen e një axhende të përbashkët me të gjithë diasporën dhe përfaqësuesit e tyre të të gjitha qyteteve dhe komuniteteve që për herë të parë të flasim të gjithë në një zë dhe të koordinuar për këtë çështje.
mit/NOA