Gjirokastër, 5 tetor 2010 NOA - Ekonomia shqiptare nuk ka lidhje me ekonominë botërore ndaj duhet bërë gjithçka që kjo situatë të ndryshojë. Pohimin e ka bërë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Ardian Fullani në qytetin e Gjirokastrës ku mori pjesë në takimin rajonal me përfaqësues të komunitetit të biznesit, të pushtetit lokal dhe të sektorit bankar si dhe me akademikët e Universitetit “Eqerem Çabej”.
Të pranishëm në këtë takim ishin Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, z. Flamur Bime, Prefektja e Qarkut të Gjirokastrës, zj. Mimoza Çomo, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Gjirokastrës, z. Mustafa Devolli, dhe shumë të ftuar të tjerë.
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori Fullani u ndal në identifikimin e sfidave që përballet ekonomia, të cilat do të shërbejnë në orientimin e drejtimit të debatit për modelin e rritjes ekonomike në të ardhmen.
Por ai vërejti se ekonomia shqiptare nuk e ka gjetur vendin tek ajo botërore dhe sugjeroi se modeli i ri ekonomik i vendit duhet të ripërcaktojë edhe rolin e Shqipërisë në rajon: “Ekonomia shqiptare duhet të ristrukturohet për të gjetur vendin e saj në ekonominë mbarë botërore, e cila përfshin edhe ridimensionimin e saj në rajon, me qëllim që politikat e zhvillimit ekonomik të vendeve të Ballkanit të jenë jolineare”.
Menjëherë më pas, Fullani shtroi pyetje: “Të gjitha këto çështje të shtyjnë në një pyetje: Çfarë e pengon ekonominë shqiptare të krijojë institucionet që duhet të debatojnë këto çështje të rëndësishme, çfarë duhet të bëjmë që t’i bëjmë ato të diskutueshme, si të nxisim krijimin e këtyre institucioneve dhe besueshmërinë e tyre?
Fullani bëri një analizë profesionale lidhur me këto fakte kur evidentoi: Të ardhurat e ulëta për frymë, disbalancimet e mëdha që trashëguam, bënë që fonde të mëdha valutore të hynin në formën e ndihmave ose kredive të buta. Kjo u shoqërua edhe me rritjen e pandërprerë të prurjeve valutore nga emigracioni dhe procesi i privatizimit.
Për rrjedhim, gradualisht me stabilizimin e parametrave bazë u krijuan kushtet për një rritje të shpejtë të aktivitetit tregtar me botën, veçanërisht përsa i takon importeve.
Një shtysë e madhe ishte dhe konsolidimi i sistemit bankar, i cili rriti ndjeshëm kreditimin e ekonomisë në vitet e fundit. Konsumi i brendshëm njohu rritje të pandërprerë. Mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme prodhuese të brendshme çoi në thellimin e vazhdueshëm të llogarisë korente nga njëri vit në tjetrin”.
Për Fullanin, “ky ishte pak a shumë modeli që mbizotëroi zhvillimin ekonomik të vendit këto 20 vitet e fundit, një model që u përhap në të gjithë vendet e Evropës ish-komuniste dhe që u njoh me emrin ‘procesi i përafrimit të shpejtë’ (catching – up process). Kriza e fundit e ndërpreu këtë mekanizëm të financimit të konsumit me borxhe”.
Mandej Fullani tha se “është fakt se kjo krizë i dha fund bollëkut financiar dhe dëshirës se investuesve për të pranuar rrezikun. Me fjalë të tjera kursimtarët e vendeve të zhvilluara dhe ekonomive në zhvillim nuk kanë dëshirë që të venë fondet e tyre në dispozicion të konsumatorëve që këta të fundit të rrisin prodhimin duke blerë apartamente, makineri, bërjen e pushimeve jashtë shtetit apo blerjen e mallrave të tjerë konsumi”.
Kurse më tej Fullani tha se sot kalimi i këtyre vendeve nga ekonomi në tranzicion në ekonomi në zhvillim kërkon thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore dhe zbatimin e modeleve të reja të rritjes ekonomike.
Të gjithë duhet të kuptojmë se rritja ekonomike e mbështetur në konsumin e nxitur nga kredia, ka lënë pasoja negative në ekonomi. Niveli aktual i borxhit që kemi akumuluar me këtë model është relativisht i lartë, - konsideroi z.Fullani.
Sipas tij, borxhi është i dukshëm në deficitet e larta tregtare dhe korente që ne kemi akumuluar gjatë 20 viteve të fundit. Aktualisht në vitet e fundit deficitet tona ndaj botës paraqiten në një nivel rekord prej rreth 14 për qind të prodhimit të përgjithshëm bruto të vendit. E thënë më thjeshtë çdo vit ne konsumojmë rreth 14 për qind të prodhimit që do të realizojmë në të ardhmen.
***
Në kuadër të angazhimit të Bankës së Shqipërisë për edukimin ekonomik dhe financiar të publikut, Guvernatori Fullani zhvilloi edhe një takim me nxënës dhe mësues të shkollës së mesme të qytetit të Gjirokastrës “Asim Zeneli”.
Ndër të tjera, z.Fullani zhvilloi një bashkëbisedim me të pranishmit mbi rolin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë ka në ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptar.
Ai gjithashtu nënvizojë domosdoshmërinë e krijimit të një kulture të mirëfilltë ekonomike dhe financiare në vend dhe angazhimin serioz që Banka e Shqipërisë ka treguar në këtë fushë.
Të pranishmit u njohën edhe me risitë në programin e edukimit “Banka Qendrore në jetën e përditshme” për vitin shkollor 2010-2011.
e.r/NOA