Tiranë, 5 tetor 2010 NOA - Policia e Shtetit tha sot se ajo i hedh poshtë akuzat e paraqitura ndaj Zv/Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Z.Agron Kuliçaj dhe ftoi politikën të mos merret me akuza deklarative por të denoncojë.
“Në lidhje me çdo akuzë apo pretendim, Policia e Shtetit përsërit ftesën publike për të gjithë akuzuesit, deputetë ose jo, që të gjitha dyshimet, faktet dhe provat ti paraqesin pranë organit të prokurorisë si organ që kushtetuta e ngarkon me ndjekjen penale”, - thuhet në reagimin zyrtar të pak minutave më parë.
Policia e Shtetit dënon me forcë çdo përpjekje për të ushtruar presione ndaj punës së saj në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe i garanton qytetarët shqiptarë se askush dhe asgjë nuk mund ta lëkundë vullnetin e saj për të vazhduar këtë luftë, në bashkëpunim me të gjitha agjencitë ligjzbatuese në vend dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Më tej, Policia e Shtetit ka bërë disa sqarime:
Në lidhje me ndjekjen penale dhe arrestimin e shtetasit Eduart Belegu, Policia e Shtetit tregoi se çështja penale në ngarkim të tij është regjistruar në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan më datë 28 shkurt 2008, për veprën penale të parashikuar nga neni 164 i Kodit Penal.
Ky procedim ka filluar në bazë të një kallëzimi, që një shtetas ka paraqitur drejtpërsëdrejti në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan me datë 10 maj 2010 e ka dërguar këtë çështje për gjykim, gjykim i cili vazhdon.
Nga momenti i referimit të veprës penale tek Prokurori e deri në dërgimin e çështjes për gjykim, të gjitha veprimet hetimore janë drejtuar nga prokurorë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
Në lidhje me hetimin e çështjes penale nr.32 të vitit 2010 e regjistruar në Prokurorinë për Krime të Rënda për veprën penale të parashikuar nga neni 109 i Kodit Penal, të gjitha veprimet hetimore për këtë çështje janë kryer nën drejtimin e prokurorëve pranë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Në lidhje me ndjekjen penale dhe arrestimin e shtetasve Virgjil Joti, Luan Qato dhe Kastriot Llakaj, çështja penale në ngarkim të tyre është regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë me datë 31 maj 2010, për veprën penale të parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
Njësia e përbashkët hetimore kundër krimit Ekonomik e Financiar (Task-Forcë) pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka regjistruar këtë procedim penal pas një kallëzimi të marrë drejtpërsëdrejti nga një subjekt që ushtron aktivitetin ekonomik në fushën e hidrokarbureve.
Edhe për këtë çështje të gjitha veprimet hetimore janë kryer nën drejtimin e prokurorëve të Njësisë së Përbashkët kundër Krimit Ekonomik e Financiar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, - përfundon deklarata zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
e.r/NOA