English

Presidenti Topi: Qendra e Dokumentacionit, hapi i parë për transparencën e drejtësisë tek publiku

Tiranë, 5 tetor, NOA – Presidenti i Republikës, njëherësh Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi e cilësoi inaugurimin e “Qendrës së Dokumentacionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, si një arritje për kushtet e Shqipërisë, dhe jo vetëm, për të mbërritur rritjen e teknologjisë së akumulimit të informacionit dhe dhënies së aksesit për gjyqtarët dhe për publikun.

Në inaugurimin e kësaj qendre, të realizuar përmes projektit “Mbështetje në forcimin e Sistemit Gjyqësor në Shqipëri” të Agjensisë Spanjolle të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim nën kujdesin e kreut të shtetit shqiptar, kreu i shtetit, duke falënderuar ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio, theksoi se “ne realizojmë sot hapin e parë të transparencës dhe kjo transparencë vlen jo thjesht për atë që ne i japim publikut, por vlen edhe për vetë gjyqtarët, të cilët sot e tutje do të jenë shumë më të përgjegjshëm, edhe për të gjykuar, edhe për të dhënë vendimin, por edhe për të bërë vendimin. Sepse vendimi sot nuk do të jetë më një vendim i mbyllur nëpër sirtarë, por do të jetë një vendim i dhënë për publikun dhe për kolegët e tyre”, vlerësoi Presidenti Topi.

“Unë do ta vlerësoja mjaft të rëndësishëm për gjykatësit të cilët do të kenë një pikë të rëndësishme referimi për t’u orientuar në të gjithë retrospektivën e vendimeve gjyqësore të personazheve, por ajo që është shumë e rëndësishme, - kjo do të ishte në funksion të publikut”, tha zoti Topi.

Presidenti nënvizoi ndërkaq se “sidomos kohët e fundit flitet për drejtësinë, flitet për nevojën që drejtësia të jetë transparente, e cila duhet të jetë realisht jo vetëm e pavarur, por e drejtë; pra, një akses i rëndësishëm për publikun, i cili nga kushtet e shtëpisë apo të institucioneve, - të cilat kanë mundësi t’ua ofrojnë këtë shërbim - mund të lidhen drejtpërdrejt e të shikojnë, të marrin informacione, që për hir të së vërtetës, në mjaft raste mungojnë, mund të jenë të deformuara”.

Sipas presidentit ky projekt do t’i shërbejë institucioneve shqiptare, që të futen në një netëork të komunikimit online, do t’i vlente shumë politikanëve, të cilët, artikulimet me vendimet e tyre, me mesazhet e tyre, do ta bëjnë më të bazuar.

Presidenti theksoi se “që të kemi një pozicion më objektiv për të gjykuar gjithësecilin, për të gjykuar sistemin e drejtësisë, individë të veçantë, duhet patjetër që të kemi një bazë të dhënash dhe këtë database sot e jep ky projekt kaq i rëndësishëm”.

Në inaugurimin e Qendrës së Dokumentacionit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, merrnin pjesë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Mbretërisë së Spanjës, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në vendin tonë si dhe ambasadorët e Hungarisë, Gjermanisë dhe OSBE-së.

mit/NOA
KOMENTE