Tiranë, 5 tetor, NOA – “Mbrëmë në darkë, në hotel Sheraton është bërë një ankand ku kanë marrë pjesë njerëz të pushtetit dhe të oborrit të pushtetit. Në këtë aktivitet janë shitur piktura të ndryshme dhe kanë marrë pjesë tri kategori njerëzish: tri kategoritë e njerëzve që sot praktikisht sundojnë, zhvatin e grabisin Shqipërinë”.
Kështu është shprehur gjatë një deklarate për shtyp, deputetja e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni, sipas të cilës, kategoria e parë e pjesëmarrësve në këtë ankand ka qenë pjesëtarët e familjes biologjike të Sali Berishës.
“Vetë Sali Berisha, Liri Berisha, Argita Berisha, Jamarbër Malltezi, Shkëlzen Berisha dhe Shpresa Breçani që është bërë e njohur vitet e fundit si eksperte kontabël e Fazlliçit, Gërdecit dhe së fundi edhe e bizneseve të mafiozit Prudentino”, akuzoi Gjermeni.
Duke shtuar se kategoria e dytë e pjesëmarrësve kanë qenë ministrat e parave në qeverinë Berisha si Ilir Meta, Lulzim Basha, Sokol Olldashi, Ridvan Bode, Arben Imami, Ferdinand Xhaferri.
Ndërsa në kategorinë e tretë ajo renditi ata që i quajti sekserët e familjes Berisha: Albana Vokshi, Arjan Tartari, Damir Fazlliç.
“Na mbetet vetëm të pyesim organizuesit e ankandit nëse në këtë aktivitet ka qenë i pranishëm edhe sekseri tjetër i familjes Rrahman Selmanllari dhe nëse jo mundësisht të na shpjegojnë se ç’arsye madhore mund ta ketë shtyrë zotin Selmanllari të mungojë në një aktivitet të tillë ku janë mbledhur nga i pari tek i fundit të gjithë njerëzit që po privatizojnë e po zhvatin sot pasuritë publike të shqiptarëve”, shtoi Gjermeni.
Duke përfunduar se PS u kërkon organizatorëve të këtij ankandi të bëjnë publike sesa piktura janë shitur, me çfarë vlere janë shitur ato dhe së fundi, të deklarojnë origjinën e parave me të cilat janë bërë këto blerje?
n.e/NOA