Tiranë, 5 tetor, NOA – Selia rozë i ka bërë sot thirrje prokurorisë të hetojë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, për rrëmbimin e këshilltarit Eduard Belegu, një akuzë e ngritur në një emision televiziv nga ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dy javë më parë.
Duke iu referuar thirrjes së djeshme të kryeministrit Berisha në mbledhjen e grupit kuvendor të PD-së, deputeti socialist, Besnik Baraj deklaroi se kërkesa e kreut të qeverisë ishte tërësisht qesharake, pasi sipas tij “Kuliçaj duhet të hetojë Kuliçaj”.
Deputeti Baraj në konferencën e sotme për shtyp tha se ish ministri Prifti ka deklaruar se këshilltari i tij, Eduard Belegu nuk është larguar, por është zhdukur nga ata, që po përgatitej të akuzonte për kontrabandën e naftës Virxhin, pasi sipas ish ministrit Prifti, “Belegu ishte familjar shembullor, andaj atë e kanë zhdukur”.
Deputeti Baraj ka cituar akuzat e ish ministrit Prifti ku deklaronte se “Agron Kuliçaj është një person, për të cilin unë dyshoj për shumë mëkate, disa prej të cilave ia kam thënë Berishës me kohë. Kurse këshilltari im, Eduard Belegu është arrestuar me bujë, pa shkak të përligjur, dhe për të më kërcënuar mua si ministër. Tani Belegu është zhdukur dhe Agron Kuliçaj duhet të thotë ku është Belegu”.
Sipas ish ministrit të Ekonomisë, Belegu po përgatitej të denonconte Policinë dhe Prokurorinë për arrestimin e tij të kotë, dhe papritur u zhduk. Emri i Kuliçajt më del në kontrabandën mafioze të naftës Virxhin, por edhe në disa veprime mafioze të tjera. Berisha duhet të distancohet nga ky ish-bodyguard, duke e pezulluar nga detyra dhe t’ia japë drejtësisë ta hetojë, pa mburojën e pushtetit, që ka në polici. Prokuroria, jo SHKB duhet ta hetojnë”, u shpreh pak ditë më parë zoti Prifti, pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Sipas ish ministrit, “Për të realizuar gjërat për të cilat unë dyshoj, Kuliçaj duhet të ketë në thes të paktën dy ministra”.
Deputeti socialist, citoi edhe faktin se ish ministri Dritan Prifti drejtoi gishtin nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, pasi e cilëson përgjegjës për zhdukjen e Eduard Belegut, si edhe për kontrabandën e naftës Virxhin, akuza këto, që sipas socialistit Baraj, përbëjnë një sinjal alarmi për korrupsionin dhe krimin në hierarkinë e lartë të strukturave të Policisë së Shtetit.
Deputeti socialist, Besnik Baraj i ka kërkuar sakaq prokurorisë të nisë sa më parë hetimet për akuzat e rënda dhe publike ndaj zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, pasi qeveria nuk ka ndërmend ta hetojë apo ta pezullojë nga puna, ish bodigardin e Kryeministrit.
mit/NOA