English

Rama nga Fieri: Të vendosur deri në fund për transparencën e zgjedhjeve

Fier, 5 tetor, NOA – Vendosmëria e opozitës për t’i shkuar deri në fund betejës për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit ishte në qendër të fjalës së liderit të opozitës, Edi Rama mbajtur përpara militantëve socialistë të qytetit të Fierit.

I shoqëruar nga deputetët e zonës, kryesocialisti Rama u është përgjigjur dhjetra pyetjeve të bëra nga simpatizantët e pranishëm në takim.

Zoti Rama u ka thënë zgjedhësve socialistë të Fierit se nuk do të shkohet në zgjedhjet lokale pa bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

Kreu i PS-së ka theksuar se "Ose qeveria do të jetë e gjunjëzuar para kushtetutës dhe kërkesës së opozitës ose do të ketë një transparencë të plotë për atë, që ndodhi me votat e shqiptarëve".

Rama ka këmbëngulur se opozita është e vendosur t’i shkojë deri në fund transparencës, jo vetëm për të nxjerrë lepurin nga strofulla, por për të nxjerrë me rradhë çakejtë, hienat, urithët, por edhe arushën e madhe, nga pylli i korrupsionit, sikundër e ka cilësuar ai korrupsionin e qeverisë Berisha.

Rama tha se janë rreth 40 kallëzime penale të PS-së, që kjo parti pret nga prokuroria të zbardhen e hetohen plotësisht.

Kryesocialisti ka folur edhe për koncesionet në sektorin e naftës, që sipas kreut socialist është shkatërruar vetëm nga qeverisja aktuale.

"Shkatërrimi më i madh këtij sektori të rëndësishëm nuk i ka ardhur nga asnjë qeveri e mëparshme, por vetëm nga ajo aktualja, që po çrrënjos pronën publike dhe atë private dhe po vë në rrezik të ardhmen e të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas tij me praktikat e korrupsionit të qeverisë Berisha është shitur e ardhmja e vendit.

Në këtë kontekst kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama u bëri thirrje simpatizantëve socialistë në Fier, por edhe të gjithë zgjedhësve që të bëjnë dallimin mes provave dhe shpifjeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, e kësisoj të mos bien në kurthin e përsëritur të 20 vjetëve me radhë, kur flitet për gjërat, që nuk ekzistojnë vetëm e vetëm, që të vihet në jetë shprehja "shpif, shpif se diçka mbetet".

Militantët e Fierit kanë pyetur edhe lidhur me hetimin për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, një pyetje të cilës i ka dhënë përgjigje deputeti i Fierit, dhe kreu i Asamblesë kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, i cili nënvizoi se ata që dinë të vërtetën e ngjarjes heshtin.

"Ne e kemi çuar këtë çështje edhe në parlament dhe jemi të vendosur për të kërkuar zbardhjen e saj tek të gjitha organizmat shqiptarë dhe ndërkombëtarë", pohoi Ruçi, ndërkohë që u drejtoi simpatizantëve socialistë një mesazh të fortë qëndrese dhe proteste, deri në njohjen e të vërtetës së votës.

mit/NOA
KOMENTE