Prishtinë, 5 tetor, NOA – Takimi i tretë tradicional i Këshillave-Shërbimeve për kërkimin e personave të zhdukur nga rajonet e përfshira në konfliktet e ish-Jugosllavisë që u mbajt në Ohër, në organizim të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe të organizatave të tilla nga rajoni.
Kohëve të fundit janë zbuluar varreza të reja masive, ku supozohet se janë varrosur shqiptarët nga Kosova, viktima të regjimit serb, gjegjësisht atij të Milosheviçit.
Por, nuk përjashtohen edhe rajone tjera me varreza të tilla masive.
Edhe pas 15 viteve nga përfundimi i luftërave në territorin e ish Jugosllavisë, numri i të pagjeturve, të zhdukurve sillet rreth 20.000. Nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar shprehen se në raste të shumta bëhet fjalë për mungesë të informacionit për vendndodhjen e këtyre varrezave masive nga ana e pushteteve-qeverive të vendeve të rajonit. Ndërkaq, sipas Lirije Tola, nga Kryqi i Kuq i Kosovës, problemi lidhur me zbulimin dhe saktësimin e varrezave masive qëndron tek Qeveria e Serbisë.
Marija Blondbju nga Kryqi i Kuq ndërkombëtar thotë se, kanë mjaft informacione të reja për varreza masive. Vetë fakti se në Kosovë janë evidentuar 1.837 persona të zhdukur dhe vetëm 55 raste zbardhen në shkallë vjetore, flet se duhet një periudhë tepër e gjatë, ndoshta me decenie të bëhet kërkimi. Ne duhet të bëjmë presion ndaj qeverive të vendeve që aq shumë e kanë politizuar këtë problem-shprehet ajo.
Lirije Tola nga Kryqi i Kuq i Kosovës theksoi: “ Kemi të dhëna edhe për varreza tjera masive, por na duhet kohë më shumë.
Gjithçka po varet nga gatishmëria e Qeverisë së Serbisë, se sat ë dhëna dhe informacione do të na ofrojë. Megjithatë ne shpresojmë se shumë shpejt do ti kemi edhe ato informacione për të gjitha vendet ku ndodhen varrezat masive. Mendoj se gjithë ky proces po zhvillohet shumë ngadalë për shkak të Qeverisë së Serbisë që nuk jep informacione te duhura dhe të mjaftuara”, - deklaroi Lirie Tola.
Përderisa në Kroaci janë zbardhur 11.000 raste, në Bosnjë e Hercegovinë edhe më tej janë të evidentuar mbi 10.000 të zhdukur, ndërkaq sipas përfaqësueses së Kryqit të Kuq të Serbisë, ata janë në kërkim të 170 të zhdukurve në Bosnje, 402 në Kosovë dhe 720 në Kroaci.
Përsa i përket Maqedonisë, këtu problem është me banorët e zhvendosur nga vatrat e përfshira në konfliktin e 2001, për të cilët është thënë se nuk ka ndonjë gjë të qartë rreth ardhmërisë së tyre.
Në këtë takim pune kanë marrë pjesë krahas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar edhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq nga Maqedonia, Kosova, Kroacia, Bonja e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi.
NOA-INA