Gjirokastër, 5 tetor, NOA – Asambleja e Socialistëve të Gjirokastrës, në një deklaratë të saj publikuar ditën e sotme, i ka drejtuar një thirrje deputetit Vangjel Tavo që të kthehet në grupin parlamentar socialist.
“Socialistët e Asamblesë së Gjirokastrës, e ftojnë publikisht deputetin Vangjel Tavo të gjejë forcë e arsye për t’u rikthyer sërish në shtëpinë e tij, në grupin parlamentar socialist”, citon deklarata, duke shtuar se pikërisht në komunikimin e sinqertë dhe të drejtpërdrejtë qëndron zgjidhja e problemeve.
Duke shtuar se Asambleja Socialiste në Gjirokastër e mirëpriti deklarimin e deputetit të dorëhequr Vangjel Tavo që tha se vota e tij nuk do të shkojë as për PD dhe as për LSI dhe të djathtën.
“Socialistët gjirokastritë ata që në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009 votuan 67% për të majtën progresiste dhe Edi Ramën, janë në këto momente në kulmin e punës e përgatitjeve për të përballuar sfidat e reja të protestës civile e qytetare dhe të përballjes
me dhunën verbale, pushimet nga puna dhe represionin e krizën e thellë ekonomike të shkaktuar nga një regjim antipopullor e antidemokratik që buron nga grabitja e votave”, përfundon deklarata.
Duke finalizuar faktin se deklarimi i deputetit Tavo se “mbetet socialist” është një fakt që ata e vlerësojnë.
n.e/NOA