English

Tregtia e votave

Zgjedhjet nuk janë të lira, për sa kohë vlera e votës varet jo nga vullneti i votuesit, por nga çmimi i imponuar i varfërisë që sjell pushteti politik

Nga Ylli Manjani

Asnjëherë nuk është bërë një analizë e thellë dhe e plotë e zgjedhjeve dhe e sjelljes së votuesit në Shqipëri. Politika gjithmonë nxiton të mbulojë me hi produktin e vet që realizon në çdo proces zgjedhor. Duke qenë përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve, ajo ka mësuar mjaft mirë ta fshehë çdo pisllëk që bën në proceset zgjedhore. Sfida e krahëve politikë është që këto pisllëqe t’ia fshehin njëri-tjetrit, sepse publikut të gjerë ia fshehin fare kollaj. Me kalimin viteve, nga njëri proces zgjedhor në tjetrin, format e mbulimit të maskarallëkut elektoral janë përsosur. Sa më shumë më flet për zgjedhjet politika, aq më i madh është problemi që kërkon të fshehë. Në fund, asgjë nga ato që thuhen nuk ndodh. Gjithmonë duhet një konsensus për të ndryshuar ligjin elektoral, në bazë të rekomandimit të OSBE-ODIHR. Gjithmonë bihet dakord për të ndarë numrin e komisionerëve. Gjithmonë bëhen të njëjtat gabime e po gjithmonë të njëjtat debate paszgjedhore. Fituesit thotë që ishin zgjedhjet më të mira të bëra ndonjëherë, ndërsa humbësi nuk njeh rezultatin që është i manipuluar. Asnjëherë nuk bëhet një analizë serioze se çfarë realisht ndodh në zgjedhje dhe se si manipulohet vota. Në çdo proces zgjedhor të 20 viteve të fundit në Shqipëri, mesatarisht votojnë 1.4 milionë votues. Nëse analizojmë strukturën sociale të këtyre votuesve, vëmë re se vota në Shqipëri më shumë sesa e manipuluar, në radhë të parë nuk është e Lirë. Në 1.4 milionë votues, rreth 250.000 trajtohen nga shteti me ndihmë ekonomike. Mjafton një manovër e vogël financiare e tipit “abrakadabra”, si p.sh., vonesa në pagesë ose paradhënia, që e tremb ose e “kënaq” këtë kategori votuesish, dhe kjo votë është lehtësisht e bleshme nga ana e pagatorit. Në këtë rast, ai grup politik që ka në dorë shtetin është edhe përfituesi i këtyre votave (ose të paktën i 80 për qind prej tyre). Pjesa më e madhe e këtyre votuesve jetojnë në fshat, ku leku ka vite që është bërë mjet shumë i rrallë shkëmbimi. Jetesa në këto kushte nuk ka asnjë lidhje me debatin apo rreshtimin politik të majtë apo të djathtë (as në qytet kjo nuk ka kuptim), por thjesht me faktin që në këmbim të marrjes së ndihmës ekonomike, jepet vota e gjithë familjes, e në ndonjë rast, e gjithë fisit. Varfëria nuk mbaron me 250.000 votuesit që blihen nga ndihma ekonomike. Ushtria e të papunëve, rreth 40 për qind e forcës aktive për punë (sipas shtetit nga 1.8 milionë, vetëm 900.000 punojnë) është kontingjenti i dytë më i tregtueshëm elektoral. Në këmbim të një vendi pune në të ardhmen, shumëkush (me përjashtim të ndonjë militanti të thekur) e jep votën e tij/saj dhe të gjithë familjes. Zakonisht, shumica e të papunëve priren të rreshtohen në favor të atij grupimi që ka diçka në dorë. Si rregull, ky grup është ai që qeveris. Meqë në Shqipëri qeverisja ndahet në përqindje aksionesh ndërmjet pozitës dhe opozitës (80% Qeveria dhe 20% opozita), me shumë gjasë edhe ushtria e të papunëve të ndahet sipas kësaj përqindjeje. Dhe kjo është logjike, sepse pushteti lokal nuk ka shumë kapacitete punësimi sa Qeveria qendrore. Kjo logjikë çon natyrshëm në ndërtimin e një pushteti militant e klientelist, si dhe të shtetit politik. Të punësuarit janë përgjithësisht vota të paracaktuara. Nga 900.000 të punësuar, rreth 100.000 janë të punësuar në shtet. Shumica e të punësuarve në shtet (për çudi edhe këtu del 80 për qind) i takojnë Qeverisë qendrore dhe pjesa tjetër (pra, 20 për qind) i takon opozitës së sotme, ose pushtetit lokal. Kjo kategori duhet shumëzuar me minimalisht 2 (të paktën edhe një njeri të familjes ata janë të detyruar ta bindin) dhe ajo që del u shpërndahet pushteteve sipas përqindjes së momentit (sot është 80 për qind – 20 për qind). Pjesa tjetër e të punësuarve (rreth 800.000 sipas shtetit) varen jorrallëherë nga ndërhyrja e politikës në to. Biznesi tashmë gjithnjë e më shumë po rreshtohet nga pushteti që e mban atë me punë në formë lejesh, koncesionesh apo përfitimesh të tjera. Nuk mund të konkludohet saktësisht se sa ndikon presioni politik mbi këtë kategori të punësuarish, por në mënyrë indirekte ka të dhëna që politika gjuan për vota edhe në këtë kategori votuesish. Duhet pranuar se pjesa e dytë më e madhe e abstenuesve në zgjedhje, pas emigrantëve, janë nga kategoria e të punësuarve në tregun privat. Nganjëherë edhe abstenimi është në favor të një grupimi të caktuar politik. Tregtia e votave vijon më tej me grupet sociale të margjinalizuara si pronarët e vjetër dhe poseduesit e shtëpive pa leje (këto të fundit janë strehuar në rreth 300.000 banesa pa leje). Është paradoks që pronarët të barazohen me të varfrit, por në kuptimin elektoral rreshtimi i tyre në anën e gabuar i barazon ata me çdo votë që vjen nga varfëria. Si ish-pronarët e vjetër, ashtu edhe pronarët e rinj, janë të lëndueshëm para çdo pushteti dhe si të tillë edhe ata janë plaçkë e negociueshme në tregun elektoral të votave. Rregulli është i thjeshtë: në këmbim të votës premtohet toka e gjyshit, ose legalizimi i shtëpisë pa leje. E parë në logjikën e ligjit, ky rregull quhet Korrupsion. Ndërsa e parë në logjikën e politikës shqiptare, shpeshherë ky rregull përfundon në zhgënjim për shkak të mashtrimit të përdorur. Megjithatë, këto grupe sociale nuk kanë asnjë rrugë tjetër veçse të mbajnë shpresat e tyre të gjalla, duke pranuar çdo mashtrim elektoral. Me të gjitha këto kategori (anëtarët e partive janë të përjashtuar nga kjo analizë), politika luan në mënyrë të drejtpërdrejt ose të tërthortë. Varfëria është pjesa më ndikuese e çdo rezultati zgjedhor. Një vend në listën e ndihmës ekonomike, ose një thes miell (0.4 gramë miell në ditë i takon çdo përfituesi), është origjina e çdo pushteti politik në Shqipëri. Ndihma ekonomike dhe thesi i miellit janë në fakt shkaku përse pushteti sillet harbutçe. Nga ana tjetër, legalizimi i pronave të zëna pronarëve legjitimë në mënyrë masive nuk na lejon as ta mendojmë (jo më ta ndërtojmë) shtetin e së drejtës. Fjala më e pakuptimtë që përdoret nga politika në këto kushte është fjala: “Reformë”. Natyrshëm, kjo fjalë realisht nuk kumton asgjë në elektoral, për sa kohë mandatet politike të reformuesve vijnë nga tregu i votave. Kjo shpjegon edhe paradokset logjike që ndodhin në vend, si p.sh., legalizimi, funksionimi normal i institucioneve, bërja e punëve publike, apo edhe pajisja me pasaporta - të quhen reforma. Ndërkohë që kjo situatë shpjegon se përse nuk kryhen dot reformat e vërteta, të tipit zgjidhje e çështjes së pronësisë, depolitizimi i shtetit, funksionimi i shëndetësisë apo edukimi i fëmijëve. E parë në këtë këndvështrim, zgjedhjet në Shqipëri mund t’i quash të drejta, për sa kohë që zbatohen disa rregulla që diktohen më shumë nga të huajt. Mund t’i quash edhe demokratike, për sa kohë që marrin pjesë parti dhe ka konkurrentë politikë. Mund t’i quash edhe të ndershme, për sa kohë që vota blihet në treg dhe blerësi i shërben shitësit me besnikëri (ku pjesë e shërbimi është edhe korrupsioni). Zgjedhjet në Shqipëri mund t’i quash edhe të pranueshme, siç rëndom bën komuniteti ndërkombëtar. Por, në asnjë rast ato nuk janë të lira, për sa kohë vlera e votës varet jo nga vullneti i votuesit, por nga çmimi i imponuar i varfërisë që sjell pushteti politik.

KOMENTE