English

Vetëvendosje! krijon Këshillin për zhvillimin në Kaçanik

Kaçanik, 5 tetor, NOA – Lëvizja Vetëvendosje! ka krijuar së fundmi Këshillin për zhvillimin e Qendrës së saj në Kaçanik, pas një sërë këshillash të tillë që janë hapur në qytetet kryesore të Kosovës.

Siç bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA, mbledhjen e hapi udhëheqësi i Sekretariatit për Qendra dhe Rrjet, Dardan Molliqaj, i cili i paraqiti pikat e rendit të ditës, të cilat u miratuan nga të pranishmit.

Pas tij, fjalën e mori Albin Kurti, i cili u përqendrua në situatën politike në vend dhe pozitën e Lëvizjes Vetëvendosje! përballë kësaj situate.

Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje! është e gatshme të përballet me të gjitha sfidat që e presin atë në të ardhmen.

Ndërsa mbi historikun e Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Kaçanik foli Basri Kodra, i cili i shpalosi 5 vjet të aktivitetit të Lëvizjes në përpjekje për të mbrojtur dinjitetin e popullit dhe të vendit.

Dardan Molliqaj u foli të pranishmëve në fund për rolin dhe detyrat që i ka Këshilli në strukturimin e përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe absorbimin e gjithë përkrahjes për Lëvizjen në këto struktura. n.e/NOA

.

KOMENTE