English

Meridor, Berishës: Izraeli dhe kombi hebraik përherë mirënjohës ndaj shqiptarëve

Tiranë, 6 tetor, NOA – Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit ishin në qendër të takimit, që pati sot kryeministri Sali Berisha me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Energjisë Atomike të Izraelit, Dan Meridor.

Zëvendëskryeministri Meridor i përcolli kryeministrit Berisha përshëndetjet e presidentit Perez dhe kryeministrit Netanjahu, duke shprehur kënaqësinë e veçantë, që ndodhet në Shqipëri, në atdheun e një kombi, i cili në periudhën e natës më të errët të historisë evropiane dëshmoi një shembull të lartë të dashurisë dhe solidaritetit njerëzor, duke mbrojtur hebrenjtë, që gjetën strehë në trojet shqiptare dhe duke mos i dorëzuar ata te nazistët.

“Izraeli, qeveria izraelite dhe kombi hebraik do t’u jenë përherë mirënjohës shqiptarëve për këtë gjest të jashtëzakonshëm”, theksoi në këtë takim zëvendëskryeministri izraelit.

Më tej, zoti Meridor i shprehu kryeministrit Berisha përgëzimet për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke e cilësuar atë në shumë aspekte një shembull, nga i cili mund të merret përvojë dhe të nxirren mësime.

Të dy palët konfirmuan mes tyre marrëdhëniet e shkëlqyera politike që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve e qeverive, miqësinë që ekziston midis dy kombeve si dhe bashkëpunimin e suksesshëm në disa fusha.

Të dyja palët rikonfirmuan vendosmërinë dhe angazhimin e plotë të të dy qeverive dhe vendeve për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin në të gjitha fushat në veçanti në fushën ekonomike, në fushën e kulturës, arsimit, turizmit, energjisë, bujqësisë, në fushën e sigurisë si dhe në luftën globale kundër terrorizmit.

Zëvendëskryeministri Meridor shprehu vlerësimet e qeverisë izraelite për reformat e qeverisë shqiptare, të cilat kanë krijuar klimën më të favorshme për biznesin dhe investitorët e huaj dhe i premtoi kryeministrit Berisha se qeveria izraelite do të bëjë çdo përpjekje për të nxitur investitorët izraelitë dhe hebrenj për të ardhur në Shqipëri për të investuar në shumë fusha, ku tregu shqiptar ofron mundësi të jashtëzakonshme për një histori suksesi për ata dhe Shqipërinë.

Duke e falënderuar për vlerësimin dhe angazhimin e tij dhe të qeverisë izraelite për të zgjeruar dhe thelluar marrëdhëniet midis dy vendeve, Kryeministri Berisha i rikonfirmoi zëvendës kryeministrit Meridor vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë çdo përpjekje për tu garantuar investitorëve izraelitë klimën më të përshtatshme për biznes dhe investime.

Kryeministri Berisha i kërkoi zëvendëskryeministrit Meridor, që qeveria izraelite të marrë në konsideratë dosjen e Kosovës, si një kontribut i rëndësishëm ndaj rajonit duke theksuar se pavarësia e Kosovës tashmë e çertifikuar nga vendimi i GJND-së, është dhe mbetet zgjidhja e vetme për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.

Kryeministri Berisha i shprehu zotit Meridor vlerësimet për bisedimet, që qeveria izraelite dhe autoriteti i Palestinës janë duke zhvilluar dhe uroi, që këto përpjekje të arrijnë të çojnë në një zgjidhje pasi zgjidhja e konfliktit në lindjen e mesme është dhe mbetet faktori kyç për paqen dhe stabilitetin në këtë rajon dhe më gjerë.

NOA
KOMENTE