Lezhë, 6 Tetor 2010 NOA – Kompania çeke CEZ nuk do të jetë më e vetmja në shitjen e energjisë elektrike sepse sektori i shpërndarjes, do të liberalizohet.
Këtë e konfirmoi sot z. Ilir Meta i cili për herë të parë ka folur për thyerjen e monopolit të shpërndarjes kur paralajmëroi “futjen e operatorëve të rinj për shpërndarjen e energjisë”. Z. Meta tha se “kjo do të jetë një reformë e rëndësishme për tregun e energjisë elektrike”.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta, pas inspektimit të situatës hidrike në kaskadën e lumit Drin, është ndalur sot në Lezhë me kërkesë të Kryetarit të Bashkisë z. Viktor Tusha.
Çështja kryesore e këtij takimi ishte mungesa e energjisë në qytetin e Lezhës. Kryetari i Bashkisë z. Tusha e ka informuar Zv. Kryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Meta për problemet me të cilat përballen qytetarët e Lezhës.
Gjithashtu ai e informoi z. Meta për kontradiktat që ka Bashkia e Lezhës me OSSH-në. Sipas z. Tusha, OSSH-ja, për arsye që nuk dihen, i ndërpret energjinë elektrike lagjeve të tëra të qytetit, lë pa energji institucioneve shtetërore, si dhe faturon afrofe edhe pse qytetarët janë të pajisur me matësa elektrikë.
Z. Kryeministri ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta, gjatë një deklarate për mediat, theksoi se mungesa e energjisë në rrethin e Lezhës është e papranueshme.
Pasi apeloi qytetarët për pagesat, z. Meta i kërkoi kompanisë CEZ të rrisë transparencën, ndërkohë që për herë të parë, paralajmëroi se sektori i shpërndarjes, do të liberalizohet, duke parë si të mundshme futjen e operatorëve të rinj për shpërndarjen e energjisë. Kjo do të jetë një reformë e rëndësishme për tregun e energjisë elektrike.
e.r/NOA