English

Michael Giffoni: Sa më shpejt bisedimet Prishtinë-Beograd

Prishtinë, 6 tetor, NOA – Përfaqësuesi i BE-së për veriun e Kosovës, ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni, i tha BBC-së se nuk beson se zhvillimet e brendshme në Kosovë do të jenë pengesë për fillimin e bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit për çështjet e interesit të përbashkët.

Ai tha se është i sigurt se situata e brendshme do të menaxhohet në mënyrë të drejtë dhe se një dialog për të krijuar kornizën e bisedimeve do të nisë së shpejti me një klimë pozitive.

Në një bisedë me BBC-në, ambasadori Giffoni tha se dialogu është "një mundësi të mirë që nuk duhet të humbet" në të kundërtën, tha ai, "do të krijohen probleme për komunitetet dhe qytetarët".

Ai tha se veriu i Kosovës nuk është çështje më vete dhe nuk mund të ndahet nga problemet e tjera.

Z. Giffoni, cili është vlerësimi juaj për zhvillimet aktuale në Kosovë?

Kjo është një situatë politike shumë interesante dhe njëkohësisht delikate, por të gjitha këto çështje duhet të zgjidhen me mirëkuptim të përbashkët dhe në interes të qytetarëve dhe kjo duhet të jetë pikënisje për politikanët. Mendoj se kjo situatë nuk duhet të dramatizohet tej mase. Ka shumë vende gjithandej botës që kalojnë nëpër situata të rënda të brendshme dhe jam i sigurt se kështu do të jetë edhe me Kosovën nëse do të ndërmerren vendime të drejta.

Ju thoni vendime të drejta, por kemi parë një impas të krijuar ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë.

Çdo gjë mund të zgjidhet dhe të rregullohet nëse interesi parësor është interesi publik. Prandaj jam i sigurt se kështu do të ndodhë edhe në Kosovë.

Ambasador, por a nuk është kjo situatë paksa problematike për Kosovën, pak ditë pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe në periudhën e përgatitjes së bisedimeve me Serbinë?

Këto gjëra ndodhën dhe çdo kush do të donte zhvillime më të lehta dhe jo situata kaq të nxehta të brendshme. Unë shpresoj se kjo nuk do të ketë pasoja të mëdha për fillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, që do të lehtësohet nga BE-ja, bazuar në Rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme.

Mendoj se kjo shënon një hapësirë të mirë të mundësisë për Prishtinën, për Beogradin dhe për bashkësinë ndërkombëtare, që është e angazhuar në Ballkan, për qëndrueshmërinë dhe perspektivën evropiane për të gjithë rajonin. Do të jetë kjo një mundësi e mirë që nuk duhet të humbet, sepse, po të ndodhë kështu, atëherë do të bëhet problematike për komunitetet dhe qytetarët. Jam i sigurt se situata e brendshme do të menaxhohet në një mënyrë të drejtë dhe në çdo rast, dialogu, të paktën rreth kornizës se si të fillojë ai, do të nisë me shpejtësi dhe në një klimë të mirë e pozitive.

Kur thoni me shpejtësi kjo nënkupton sa më shpejt të jetë e mundur?

Kjo varet edhe nga zhvillimet në Bruksel dhe çfarë kornize do të ngrejë BE-ja në lehtësimin e saj.

Por, ambasador, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës thonë se preferojnë që dialogu me Beogradin të fillojë pas zgjedhjeve të parakohshme në vend?

Unë nuk i kam interpretuar këto deklarata në këtë mënyrë. Mendoj se në çdo rast është mirë që të fillohet duke i vënë kornizat këtij dialogu dhe ai të nisë. Kjo sepse janë krijuar kushtet për ta bërë dhe mendoj se është një e arritur pozitive. Mendoj gjithashtu se ka një nivel të mjaftueshëm të mbështetjes në opinionin publik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi për këtë gjë.

Por Prishtina dëshiron që të presë pak me bisedimet?

Kjo varet nga nivelet e përfshirjes dhe në hapat e parë të këtij dialogu. Unë në asnjë rast nuk kam lexuar ndonjë refuzim ndaj fillimit të krijimit të kornizave për dialogun. Ky është interpretimi im, megjithëse mund të ketë të tjera interpretime. Të shohim.

Ju jeni i dërguar i BE-së për veriun e Kosovës. Do të jetë ai pjesë e diskutimeve mes dy palëve?

Unë nuk mund të bëj komente rreth përmbajtjes së çështjeve që do të diskutohen, meqë kjo ju takon palëve, me lehtësimin e Brukselit. Sidoqë të jetë, veriu nuk është një çështje në vetvete. Ka probleme dhe çështje të veçanta që janë në veri dhe në pjesën tjetër të vendit e në Ballkan që kanë nevojë të diskutohen me një shpirt të dialogut dhe bashkëpunimit. Natyrisht, kur ato janë të lidhura me veriun, në këtë kontekst të posaçëm, këto çështje gjithashtu fitojnë një ndjenjë të posaçme dhe bëhen ndoshta më problematike. Por nuk mendoj se veriu mund të ndahet nga pjesa tjetër e problemit. Siç e thashë, nuk dua që tani të bëj komente për çështjet dhe mënyrën e fillimit të këtij dialogu. Unë shpresoj se ai do të fillojë shpejt dhe se do të jetë në një atmosferë të mirë. Nuk e besoj se zhvillimet e brendshme do të jenë një pengesë për këtë.

Më lejoni t'ju pyes ambasador. Ka një prani të shtuar të forcave të sigurisë në veri. Çfarë porosie mund të përçojë kjo për qytetarët, marrë parasysh se ju jeni i dërguar i BE-së në atë pjesë?

Mendoj se është gjithmonë një gjë e mirë dhe nismë e mirë për të shtuar praninë, që ndërlidhet posaçërisht me BE-në, në aspektin e sigurisë dhe në fushën e rendit dhe të ligjit. Qytetarët në veri, sikundër edhe në pjesën tjetër të Kosovës, kanë nevojë për besim. Një besim në mundësinë për të pasur një sistem të rendit dhe të ligjit. Por, natyrisht, kjo nuk duhet të dramatizohet si i vetmi vend ku ka nevojë për më shumë përkujdesje si kjo. Është me rëndësi që aty ku ka një sfidë reale, bashkësia ndërkombëtare, EULEX-i, dhe secili që dëshiron të punojë me një besim të mirë, mund të ndërhyjë fuqishëm, por me përdorim të mjeteve që janë më të përshtatshme.

BBC

KOMENTE