English

MPJ i kërkon Indonezisë njohjen e Kosovës

Tiranë, 6 tetor, NOA – Shqipëria kërkon njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Indonezisë si një kontribut për paqen dhe progresin e rajonit të Ballkanit.

Një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ia ka shprehur sot gjatë një takimi të përbashkët ambasadorit të Indonezisë në Tiranë, Immanuel Robert Inkiriuang.

Në lidhje me këtë çështje, ambasadori Inkiriuang u shpreh se qeveria indoneziane shikon shpalljen e vendimit të GJND-së si dhe Rezolutën e OKB-së, si hapa pozitivë në këtë drejtim.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e mira që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve dhe u shpreh vullneti për thellimin e bashkëpunimit politik si në planin dypalësh ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Në lidhje me bashkëpunimin dypalësh, ministri vuri në dukje nevojën e konkretizimit të tyre nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve kuadër në fushën ekonomike si dhe në fushën konsullore.

n.e/NOA

KOMENTE