English

Ndryshon sërish ligji i legalizimeve, ja detajet konkrete

Tiranë, 6 tetor, NOA - “Objekti i ndërtuar pa leje ose shtesa e sipërfaqes tej lejes së miratuar nuk kualifikohet për legalizim ose, nëse është kualifikuar, legalizimi ndërpritet në çdo kohë përpara lëshimit të lejes së legalizimit sipas nenit 28, të ligjit, në rast se shkel vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuar nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanisitike apo projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara a në proces”.

Ky është ndryshimi i ri që Këshilli i Ministrave miratoi me anë të një vendimi të posaçëm, në ligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, i vitit 2006.

Duke shtuar se në këtë kategori futen edhe ndërtimi që cenon zbatimin e projekteve për zona turistike, zona komerciale dhe rekreative, zonat ekonomike, parqe dhe impiante industriale, për të cilat ka studime të miratuara ose në proces”.

Ndërkaq, ky vendim përmban edhe ndryshimin e përcaktuar në kreun II të këtij ligji, ku shtohet me këtë përmbajtje: “Kur objektet ndodhen në kushtet e moskualifikimit për legalizim, organet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë t’i kërkojnë ALUIZNI-t ndërprerjen e legalizimit, duke specifikuar dhe shkakun konkret sipas pikave 2 e 3, të këtij vendimi, për të cilin ALUIZNI është i detyruar të ndërpresë procesin. Kërkesës duhet t’i bashkëlidhet, detyrimisht, dokumentacioni provues. ALUIZNI është i detyruar, që, brenda 2 (dy) javëve nga data e depozitimit të kërkesës, t’u konfirmojë ndërprerjen e procedurave organit shtetëror përgjegjës dhe personit të interesuar për legalizimin e ndërtimit pa leje. Në rast se, me kalimin e këtij afati, ALUIZNI nuk ka konfirmuar ose ka refuzuar ndërprerjen e legalizimit, organi shtetëror përgjegjës ka të drejtë t‘i kërkojë Këshillit të Ministrave pezullimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje. Këshilli i Ministrave vendos sipas afateve dhe procedurës së përcaktuar në paragrafin e dytë, të pikës 1, të nenit 13, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar”.

n.e/NOA

KOMENTE