Tiranë, 6 tetor, NOA- Në vijim të akuzave kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, deputetja demokrate, Arenca Trashani i bëri apel kryebashkiakut Rama të paraqitet vetë në prokurori dhe të japë shpjegime për kontratën me 20 përqind për lejen e projektit për pallatet 35 katësh pranë digës së Liqenit.
“Zoti Rama! Ti duhet të shkosh vetë në prokurori dhe të japësh shpjegime për 20 përqindëshin e përfituar nga kontrata prej “Leprit” tënd, si dhe për projektin me grataciela tek zona e Liqenit, që erdhi pas saj. Ky duhet të ishte gjesti më minimal për të treguar se ke një grimë përgjegjshmërie para publikut”, theksoi në një konferencë për shtyp, deputetja Trashani.
Sipas saj, heshtja e kryebashkiakut Rama shpjegohet me shpresën e tij, që kjo aferë prej 100 milion eurosh të harrohet një ditë dhe kështu vetë Rama të shpëtojë paq, pa u përballur me drejtësinë.
“Por ne jemi këtu për t’i kujtuar atij se asgjë nuk mund ta shpëtojë nga nxjerrja e përgjegjësisë së plotë për projektin e Liqenit me pallate 35 katëshe, pas kontratës 20 përqindëshe të “Leprit” të tij”, bëri me dije zonja Trashani.
Deputetja demokrate e cilësoi publikimin e kontratës me 20 përqind, si provën më të qartë dhe më të pastër të korrupsionit në këto 20 vjet, duke theksuar se është detyrë e çdo institucioni që të çojë në bankën e të akuzuarve “leprat” dhe të zotin e tyre. Deputetja Trashani i kujtoi kryebashkiakut Rama se kur gjithçka është e zbuluar në dritën e diellit rruga më e mirë është të mbrohesh dhe jo të heshtësh.
Në fund të deklaratës së saj, deputetja Arenca Trashani i tha kreut të Bashkisë së kryeqytetit, që të përballej vetë me akuzat në prokurori, pasi e fshehta do të zbardhet deri në fund.
mit/NOA