Shkup, 6 tetor, NOA - Kryetari i partisë Demokracia e Re, Imer Selmani, priti sot në një takim, ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Ervan Fouere, ku u bisedua për raportin vjetor të Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë në procesin integrues në BE, për ngecjet në implementimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa theks i veçantë iu dha çëshjtes së regjistrimit të popullatës.
Selmani i shpalosi euroambasadorit Fuere shqetësimet e DR-së në lidhje me sjelljen e ligjeve evropiane në vend vetëm për nga forma, por jo edhe implementimin në thelb të tyre.
Kjo sipas Selmanit, nuk i kontribuon realisht afrimit të legjislaturës së vendit me atë evropiane, por edhe nuk reflekton pozitivisht në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve të Maqedonisë konform atij evropian.
Po ashtu, Selmani njoftoi euroambasadorin Fuere me vërejtjet e DR-së ndaj qeverisë për ngecjet në implementimin e marrëveshjes së Ohrit, duke ritheksuar qëndrimin e DR-së se Marrëveshja e Ohrit është një burim i pashtershëm për ndërtimin dhe zhvillimin e harmonisë dhe kohezionit të brendshëm ndëretnik, me kusht që e njëjta të implementohet dhe mos të ngel dokument në letër.
Sa i përket çështjes së regjistrimit, Selmani shfaqi shqetësimin e DR-së për këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët, duke theksuar se i njejti ka implikime politike me vetë faktin se shumë të drejta kolektive të shqiptarëve dhe bashkësive etnike më të vogla të rregulluara me Kushtetutë dhe Marrëveshjen e Ohrit varen drejtëpërdrejt nga përqindjet e bashkësive etnike në numrin e përgjithshëm të popullatës.
Gjithashtu, Selmani njoftoi euroambasadorin Fuere me kontestimin që DR-ja i bën tajmingut për regjistrim, duke cekur se nga vizita e tij në SHBA ka kuptuar se vëretjet kryesore të diasporës shqiptare shkojnë pikërisht në drejtim të tajmingut të pavolitshëm për regjistrim të diasporës.
Selmani paralajmëroi se DR-ja do të intervenojë me amandamente në propozim-ligjin për regjistrim në Parlament, me qëllim që të parandalohen pasojat e mundshme negative dhe kontestimi i rezultateve të regjistrimit përshak të mungesës së transparencës dhe objektivitetit të procesit.
Ambasadori i BE-së, Ervan Fuere ceku se raporti i Komisionit Evropian do të konstatojë progresin dhe ngecjet në procesin e reformave të nevojshme për antëtarsim të vendit në BE.
Fuere përsëriti qëndrimin e prerë se Bashkimi Evropian përkrah pa rezerva Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht bën thirrje që e njejta të implementohet në kapacitet të plotë, sidomos fryma e saj e cila nënkupton bashkëjetesën ndëretnike në vend.
Në drejtim të çështjes së regjistrimit të popullatës, Fuere paralajmëroi angazhim thelbësor të Delegacionit të BE-së dhe të Eurostat-it në drejtim të sigurimit të objektivitetit dhe transparancës së nevojshme për rritjen e besueshmërisë së qytetarëve në këtë proces.
Në fund, Fuere përuroi kreun e DR-së, Selmanin, për politikë-bërjen konstruktive të DR-së si parti opozitare në Parlament, si dhe qasjen pozitive në drejtim të stimulimit të qeverisë për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit të vendit në BE.
n.e/NOA