English

SHBA anulon ndihmën për Shqipërinë, kritikon PS dhe falënderon Qeverinë

Tiranë, 6 Tetor 2010 NOA - Ambasada e Shteteve të Bashkuara shprehu sot zyrtarisht zhgënjimin e saj për dështimin në miratimin e ligjit mbi Gjykatat Administrative më 30 shtator 2010.

Ligji për Gjykatat Administrative u ndërtua për të ulur mundësitë për korrupsion, për të përmirësuar transparencën në sistemin gjyqësor, për të përforcuar sundimin e ligjit, për të rritur besimin e qytetarëve në institucionet publike, si dhe përafrimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor të Shqipërisë me standardet e kërkuara për integrimin në Bashkimin Europian, - thuhet në qëndrimin zyrtar.

Kurse theksohet se ligji ishte identifikuar si një kërkesë e rëndësishme për Shqipërinë dhe ka pasur mbështetje të gjerë nga partitë politike dhe komuniteti i biznesit.

Dështimi në miratimin e këtij ligji ka çuar në tërheqjen e ndihmës së vazhduar të Sh.B.A. për përbërësin e Gjykatave Administrative në marrëveshjen e Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit, një projekt afro 16 milionë dollarë.

Veprimtaritë e planifikuara më parë që tani nuk do të vihen në zbatim nga Sh.B.A. përfshijnë instalimin e një sistemi elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, blerjen e pajisjeve, mbikëqyrjen e sesioneve fillestare të trajnimit, si dhe kryerjen e një fushate ndërgjegjësimi për të informuar qytetarët mbi atë se cilat do të kishin qenë përfitimet nga Gjykatat e reja.

Mosmiratimi i këtij ligji do të ndikojë gjithashtu edhe ndonjë shqyrtim në të ardhmen të “Statusit të Kompaktit” të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit si dhe mundësitë përkatëse për financim, paralajmëron Ambasada e Sh.B.A.

Ajo kujton faktin se angazhua aktivisht me të dy partitë dhe kërkoi mbështetjen e tyre për miratimin e këtij ligji.

Nga ana tjetër, Ambasada e Sh.B.A. shpreh mirënjohjen e saj për masat e marra nga shumica parlamentare për të kërkuar miratimin. Është për të ardhur keq që opozita zgjodhi të mos votonte projektligjin.

Kurse në fund vërehet: “Populli amerikan ka qenë bujar me ndihmën e tij të thellë për zhvillimin dhe përparimin e Shqipërisë. Qysh nga viti 1991, Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbi 700 milionë dollarë ndihma për Shqipërinë, përfshi programe të përqendruara mbi pakësimin e korrupsionit, çuarjen përpara të shtetit ligjor, forcimin e institucioneve demokratike, përmirësimin e kujdesit shëndetësor, promovimin e sigurisë më të madhe, si dhe sigurimin e zhvillimit të vazhduar ekonomik”.

Ambasada e Sh.B.A. duke përfunduar, thotë se shpreh keqardhjen që kjo mungesë e legjislacionit të nevojshëm për Gjykatat Administrative kërkon tërheqjen e mbështetjes për një nismë të identifikuar si e rëndësishme nga të gjithë shqiptarët.

Si i parapriu SHBA vendimit të shpallur sot:

Vonesat në Miratimin e Ligjit për Gjykatat Administrative Rrezikojnë Vazhdimësinë e Ndihmës së Qeverisë së Sh.B.A. për Gjykatat Administrative (27 Shtator 2010)

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nxit miratimin e projektligjit “Mbi gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative,” të njohur si ligji mbi Gjykatat Administrative. Me qëllim që veprimtaritë e planifikuara me fonde të Sh.B.A. të mund të përfundojnë, ligji duhet miratuar deri më datë 30 shtator, 2010.

Ligji mbi Gjykatat Administrative është një prej gjashtë përbërësve të Programit të Pragut II të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit – Shqipëri, i cili u nënshkrua në shtator 2008. Projektligji ka mbetur pezull në kuvend nga fillimi i vitit 2009. Dështimi për ta miratuar këtë legjislacion do të çojë në mbylljen e veprimtarive për Gjykatat Administrative që administrohen nga USAID nën Programin e Pragut.

Ligji për Gjykatat Administrative është me rëndësi thelbësore për të ndihmuar Shqipërinë që të promovojë transparencë në sistemin gjyqësor, të forcojë shtetin ligjor, dhe të rrisë besimin e publikut tek institucionet publike. Ligji mbi Gjykatat Administrative do të realizonte ngritjen e shtatë gjykatave që do të gjykonin mosmarrëveshjet e qytetarëve dhe bizneseve mbi çështje të tilla si punësimi, taksat, pensionet, regjistrimin e pronave, kompensimin e pronave, si dhe çështje të tjera të rëndësishme. Gjithashtu, ngritja e këtyre gjykatave do të përafronte më tej sistemin gjyqësor të Shqipërisë me standartet e kërkuara për integrimin në BE.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara nxit Kuvendin që ta miratojë ligjin pa vonesa të mëtejshme. Ndihma e Sh.B.A. për Programin e Gjykatave Administrative nuk do të vazhdojë nëse mungon miratimi i këtij ligji.

KOMENTE