Gjenevë, 6 tetor, NOA - Kryetarja e Kuvendit mori pjesë në punimet e Sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të Unionit parlamentar Ndërkombëtar (IPU), që po zhvillohet në Gjenevë, me moton “Parlamente më të fortë për më shumë demokraci” duke trajtuar rritjen e rolit dhe të peshës së parlamenteve në çështje thelbësore për demokracinë, si standardet e zgjedhjeve, transparenca etj.
E ndërsa gjatë takimeve me homologët evropianë, Topalli bisedoi për proceset e integrimit evropian të Shqipërisë, ajo ka kërkuar mbështetje për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës, si prioritet i axhendës së saj, në diplomacinë parlamentare.
Në një intervistë për mediat, Topalli duke cilësuar zgjedhjet e 28 qershorit, si zgjedhjet më transparente dhe me standardet më të mira të realizuara deri më sot në Shqipëri, u shpreh se “në asnjë rast në asnjë vend tjetër të botës, nuk ka ndodhur si në Shqipëri që mazhoranca t'i ofrojë opozitës, zgjedhjen e sistemit elektoral. Është një gjë, që asnjë qeveri në botë, nuk ta dhuron. I vetmi rast është rasti i Shqipërisë dhe në kundërshtim me interesat e partisë që është në pushtet”.
“E dyta, në asnjë vend tjetër me përjashtim të Shqipërisë, mënyra e numërimit të votave, përmes fotografimit, skanimit , transmetimit online të votave në çdo qendër, duke bërë të mundur transmetimin online në mënyrë të menjëhershme në real time, të numërimit të votave. Edhe pas një viti e gjysëm askush, asnjë forcë politike nuk ka paraqitur qoftë edhe një fakt, qoftë edhe një provë për manipulim”, tha më tej ajo.
Ndërsa pyetjes mbi akuzat e ndërsjella për afera korruptive, kryetarja e Kuvendit iu përgjigj duke thënë se ato janë mjaft të rënda.
“Mendoj se ka ardhur koha që institucionet duhet të veprojnë, në mënyrë që të mos krijojmë një klimë helmuese, që ndot tërësisht klasën politike. I bëj ftesë Edi Ramës të lejojë deputetët e tij, që të votojnë ligjin për kufizimin e imunitetit, të politikanëve, por edhe të gjykatësve edhe të institucioneve të tjera, të cilët e përdorin këtë si një mburojë për të mbuluar mëkatet e tyre. Është mënyra e vetme për të luftuar korrupsionin", tha ajo.
n.e/NOA