Tiranë, 7 tetor, NOA – Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur sot vendimin e marrë nga Parlamenti Evropian për miratimin e raportit për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen.
“Kjo është një ditë historike, një ditë krenarie për të gjithë shqiptarët, është një ditë votëbesimi për demokracinë shqiptare”, deklaroi kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha në një konferencë për mediat tha se ky vendim pro, është vlerësim për reformat që ka ndërmarrë qeveria shqiptare.
Shefi i ekzekutivit ka shprehur mirënjohjen për të gjitha institucionet e BE-së, raportuesen sllovene, Tanja Fajon për vendimin për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Kryeministri duke e quajtur një ditë historike votimin e raportit ka shprehur garancinë e qeverisë shqiptare për përmbushjen e të gjitha kritereve.
Në këtë kontekst Berisha tha se Shqipëria është një nga vendet më të sigurtë në Evropë.
Shefi i ekzekutivit shprehu mirënjohje edhe për punonjësit e administratës shqiptare bën të mundur me përkushtim plotësimin e kritereve të udhërrëfyesit.
“Shpreh mirënjohjen, për qeveritë e BE-së, SHBA-ve dhe taksapaguesit e tyre, që me ndihmën e tyre prej me miliarda Eurosh bënë të mundur suksesin e reformave të qeverisë shqiptare dhe integrimin e saj me vendet e zhvilluara.
“Pa reformat dhe suksesin e tyre ky proces nuk mund të vinte ky vendim, pasi ky nuk është një vendim i thjeshtë për vendet e BE-së, por ai erdhi në vlerësim të reformave”, tha Berisha.
“Kjo qeveri ka patur dhe do të ketë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian si projektin më madhor, andaj jemi të vendosur të ndërmarrim çdo reformë, çdo ligj që ky proces të ecë sa më mirë”, konfirmoi kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu se është optimist për një vendim në favor të heqjes së vizave në nëntor nga Këshilli i Ministrave të BE-së, duke siguruar që qeveria e tij do të punojë fort, që ky proces të mos krijojë as edhe shqetësimin më të vogël për vendet e Bashkimit Evropian.
mit/NOA