Tiranë, 7 tetor, NOA - Për operacionin e heqjes së gurëve në veshka nuk do të përdoret më thika.
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëri me dije se është vënë në punë pas 7 vjetësh aparatura e litotriptisë, aparatura që mundëson thërrmimin e gurëve në veshka.
Mësohet se është punuar prej muajsh për vendosjen e kësaj aparature në një tjetër ambient, ndryshe nga ai i mëparshmi, pranë sallave të oparacionit në Shërbimin e Urologjisë.
Fillimisht u bë i mundur krijimi i ambienteve të përshtatshme, duke bërë veshjen e mureve me plumb në mënyrë, që të mos ketë rrezatim.
Vetëm për përshtatshmërinë e ambienteve u nevojitën 4 milion lekë të reja, ndërkohë, që investimi për blerjen e kësaj aparature është rreth 50 milion lekë.
“Prej 7 vjetësh pacientët nuk kanë mundur të marrin këtë shërbim. Tashmë falë një punë dhe një investimi prej 55 milion lekësh u bë e mundur vendosja e litotriptisë dhe aktualisht ka nisur puna, ndërkohë që është bërë edhe trajnimi i stafit pasi aparatura është e një teknologjie të fundit” ka pohuar Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi.
Dashi tha se janë duke u kryer të tjera investime të rëndësishme në spitale, të cilat kanë munguar prej vitesh, një prej të cilëve është edhe vendosja e panelit kryesor të ashensorit në Spitalin e Neurologjisë.
Sipas inxhinerëve të QSUT-së, rezultoi se ashensori ishte një model shumë i vjetër, i cili kërkonte një punë të madhe, pasi nuk mund të përshtateshin materialet aktuale me atë ekzistues.
Ndër investimet e tjera në mjediset e QSUT-së përmendet edhe vendosja e aparaturave të telemjekësisë.
mit/NOA