Tiranë, 7 tetor 2010 NOA – “Vendimi për të miratuar rezolutën e heqjes së vizave është një ngjarje e shënuar për të gjithë popullin shqiptar, një ngjarje e shumëpritur, për të cilën është punuar me angazhimin dhe dedikimin maksimal nga të gjithë institucionet e përfshira në këtë proces”.
Kështu u shpreh pak minuta më parë në një deklaratë për shtyp e Ministrit të Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto me rastin e votimit të rezolutës për liberalizimin e vizave në PE.
“Dëshiroj që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të përshëndes me entuziazëm të merituar rezolutën e miratuar në Parlamentin Evropian me 538 vota pro, për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, - tha ministri i sapoemëruar.
Kurse pas votimit të sotëm që i paraprin një tjetër prove në nëntor në Këshillin e Ministrave të BE, komentoi: “Tashmë shqiptarët, që vuajtën izolimin më të madh e më të gjatë në rajon e Evropë, janë duke realizuar ëndrrën e tyre për të lëvizur pa viza drejt hapësirës Shengen”.
Haxhinasto më tej vlerësoi qëndrimin e përsëritur të Parlamentit Evropian për përfshirjen e Kosovës në këtë projekt madhor të integrimit, me një udhërrëfyes të qartë e të matshëm, i cili do të kontribuojë në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm në jetën e qytetarëve kosovarë e thellimin e reformave atje, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë.
“Kjo arritje e madhe është njëkohësisht dhe një detyrim për të gjithë ne për t'u sjellë si qytetarë evropianë për të respektuar dhe zbatuar të gjitha rregullat për një ecuri normale të procesit të liberalizimit të vizave”, - tha ministri.
Kurse në përfundim, premtoi: “Ju siguroj se puna jonë do të vazhdojë pasi kjo ngjarje përbën gjithashtu dhe një inkurajim dhe frymëzim për të ecur më tej në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”.
e.r/NOA