Shkup, 8 tetor 2010 NOA/ Zulejha Ramadani– Dita e enjte ishte e mbushur me lëkundje sizmike që ngjallën pasiguri te banorët e Maqedonisë fqinje. Dy ishin tërmetet më të frikshme, ai i mëngjesit në zonën e Dibrës dhe ai i pak orëve më parë në kryeqytet dhe zonat e Kumanovës.
Korrespondentja jonë raporton se në orën 22.23 të mbrëmjes së të enjtes, një tërmet me fuqi rreth 4 ballë u regjistrua në kryeqytetin Shkup.
Rrezja e tërmetit ka prekur dhe zonat përreth e deri në Kumanovë, bëri të ditur zyrtarisht, Observatori Sizmologjik i Maqedonisë.
Zyrtarisht, OBM tha se epiqendra u lokalizua rreth 20 kilometra në veri-perëndim të Kumanovës, 10 kilometra në juglindje të Luginës Preshevës dhe afro dhjetë kilometra në veriperëndim të Izvorit. Po ashtu raportohet se lëkundja sizmike e mbrëmjes që kaloi u ndje edhe në Serbi, në zonën e Luginës së Preshevës.
Sakaq më herët gjatë ditës ka patur dhe lëkundje të tjera sizmike. Në mëngjes në orën 05.00 një tërmet me intensitet afro 3 ballë të shkallës Rihter që është dhe shkalla makrosizmike evropiane është regjistruar në Dibër.
Sipas Observatorit Sizmologjik pranë Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup, epiqendra e tërmetit është regjistruar rreth 100 kilometra në jugperëndim të Shkupit dhe rrjedh nga rajoni i epiqendrës së Dibrës.
Banorët kanë theksuar se lëkundjet e tokës i kanë ndjerë rreth orës 05.07 të mëngjesit të sotëm.
Deri tani nuk raportohet për dëme materiale.
z.r/e.r/NOA