Tiranë, 7 tetor, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Ilir Meta në një prononcim për mediat deklaroi sot se në një të ardhme të afërt parlamenti do të miratojë me kuorumin e duhur ligjin për Gjykatat Administrative, duke lënë të nëkuptohet se do të miratohen gjithashtu edhe ligje të tjera të rëndësishme, siç është ai për kufizimin e mandatit të deputetit.
“Absolutisht që nuk mund të mbajmë peng reformat e domosdoshme, që kanë të bëjnë me integrimin e vendit, reformat të cilat kanë të bëjnë me standardet e drejtësisë shqiptare, që kanë të bëjnë me garancitë më të mëdha për të cilat ka nevojë biznesi për tu zhvilluar më i sigurt. Unë jam i bindur se do të rritet përgjegjësia politike dhe në një të ardhme të afërt jo vetëm ligji për Gjykatën Administrative, që e theksoj nuk është një ligj që i shërben thjesht qeverisë, por i shërben biznesit dhe qytetarëve për tu mbrojtur edhe nga arbitrariteti i qeverisë, do të votohet, sikurse do të votohen edhe ligje të tjera të rëndësishme”. Deklaroi zëvendëskryeministri Meta.
Lidhur me gjetjen e kuorumit për këtë ligj, që kërkon miratimin me shumicë të cilësuar deputetësh, zoti Meta nënvizoi se 84 vota do të bëhen sipas tij pasi “Besoj shumë te atdhetarizmi, te përgjegjshmëria e shumë kolegëve deputetë të opozitës. Mesazhet janë të qarta. Ata të cilët kanë frikë nga demokracia, që kanë frikë nga vota e lirë, që e treguan me Kodin që bënë para zgjedhjeve të 28 qershorit, ata që kanë frikë të bëjnë zgjedhje të lira në partinë e tyre, natyrisht që absolutisht nuk mund të mbajnë peng të gjithë ata përfaqësues, të gjithë ata kontribues për gati 20 vite në proceset europianizuese të Shqipërisë”, tha zoti Meta.
Ministri i Ekonomisë, duke folur për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, bëri me dije se qeveria dhe ai si titullar i dikasterit të Ekonomisë janë të angazhuar të luftojnë çdo lloj monopoli në tregun e energjisë elektrike, pasi futja e më shumë kompanive në treg liberalizon dhe modernizon vendin dhe mbi të gjitha mbron edhe konsumatorin.
“Në qoftë se sot kemi një situatë të tillë, kur kemi vetëm një operator në shpërndarje, absolutisht që ligji nuk na pengon, por do të bëjmë të gjitha përpjekjet tona që të fusim edhe operatorë të tjerë, në mënyrë që të ketë më shumë konkurrencë. Meqënëse këtë shqetësim e ka ngritur edhe opozita, do t’i ftoja edhe ata të na ndihmonin për të gjetur dhe operatorë të tjerë për t’i futur në treg. E njëjta gjë edhe përsa i takon rafinerive të naftës, dhe në të gjitha drejtimet e tjera”, pohoi ministri i Ekonomisë.
Në këtë kontekst ministri Meta tha se lidhur me gjetjen e operatorëve për këtë treg, qeveria është e angazhuar të bashkëpunojë me opozitën, duke qenë se opozita ka në korpusin e saj njerëz aktivë dhe me përvojë në këtë fushë.
Ministri i Ekonomisë është prononcuar edhe për procesin e privatizimit të CEZ dhe shpërndarjes së energjisë në mbarë vendin nga kjo kompani, duke shprehur shqetësimin për mosfurnizimin me energji të shumë zonave, një çështje për të cilën ministri Meta garantoi se do të dialogojë me kompaninë CEZ.
“Ne do të forcojmë dialogun dhe bashkëpunimin me CEZ Shpërndarje. Ne do të plotësojmë gjithë detyrimet tona si shtet dhe si qeveri, dhe do të kërkojmë nga CEZ Shpërndarje, të plotësojë të gjitha detyrimet ndaj shtetit dhe sidomos ndaj konsumatorëve, familjarë dhe biznese. Ky do të jetë një proces shumë transparent”, siguroi ministri i Ekonomisë.
mit/NOA