Tiranë, 7 tetor, NOA - Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Federatës së Bosnjë-Hercegovinës, Mustafa
Mujezinoviç, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga disa ministra të kabinetit të tij, ndër të cilët edhe ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Nail Še?kanoviç.
Takimi përkonte me një nga ditët më të shënuara për të dy vendet pasi sot Parlamenti Europian mori vendimin për heqjen e vizave, çka mundëson lëvizjen e lirë të qytetareve në zonën Shengen.
Në fjalën e tij, kryeministri Mujezinoviç shprehu kënaqësinë e tij për lidhjet e ngushta që ekzistojnë midis dy popujve si dhe kërkoi që ky bashkëpunim të shtrihet në të gjitha fushat e tjera, kryesisht në atë të transportit dhe të turizmit.
Në vijim të kësaj ideje, të dy ministrat e Transportit folën konkretisht mbi zhvillimin e marrëdhënieve në këtë fushë duke u fokusuar në ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane, lidhjes hekurudhore përmes Malit të Zi, si dhe shfrytëzimit të porteve shqiptare nga ana e operatorëve boshnjakë, pasi ministri Olldashi theksoi se tarifat që
ofrojnë portet shqiptare janë më të favorshmet në rajon.
Njëkohësisht, ata vlerësuan edhe rëndësinë e zhvillimit të transportit ajror ndërmjet dy vendeve për të bërë të mundur në një të ardhme të afërt, udhëtime direkte ajrore të cilat do të lidhin Tiranën me Sarajevën dhe anasjelltas.
U ra dakort që bashkëpunimi në të gjitha këto fusha të konkretizohen përmes takimeve të ekspertëve në nivel teknik.
n.e/NOA