English

PDU: Votimi në PE, çast historik për shqiptarët

Tiranë, 7 tetor, NOA - Votimi në Parlamentin e Evropës, i propozimit për heqjen e vizave Shengen për shqiptarët, është një çast historik për shtetin tonë.

Kështu vlerëson në një deklaratë të posaçme për shtyp, Partia për Drejtësi dhe Unitet, duke e cilësuar këtë si momentin më të ndritur për këtë shtet në 20 vitet e fundit dhe më i ndrituri për kombin pas Pavarësisë së Kosovës.

“Është çasti që të gjitha forcat politike, shoqëria civile, biznesi dhe mbi të gjitha të gjithë qytetarët të bashkohemi me motiv integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Hapi i parë i hedhur është i vlefshëm, por sfidat në të ardhmen do të jenë edhe më të forta”, citohet më tej në këtë deklaratë.

Duke shtuar se liberalizimi i vizave do të thotë më shumë se lëvizje, do të thotë fund të izolimit që kemi përjetuar 60 vitet e fundit në historinë e shtetit tonë.

“Tashmë, të gjithë bashkëqytetarët tanë do të kenë mundësi të shkojnë dhe të takojnë të afërmit e tyre në emigracion, të gjithë do të kenë mundësi të bëjnë pushime në vendet evropiane, të njohin kulturën e këtyre shteteve dhe të transmetojnë kulturën shqiptare aty. Kjo do të sjellë Shqipërinë me ritme të shpejta shumë më afër Bashkimit Evropian. Për më tepër, tashmë të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të vizitojnë vende ku kanë lidhje të forta”, përfundon deklarata.

n.e/NOA

KOMENTE